Zhvillimi unikal do të rrisë efikasitetin e veprimit të ilaçit deri në 1000 herë dhe do të ndihmojë praktikisht për eleminimin e të gjitha efekteve anësore. Në onkologji ky zbulim mund të bëhet një bum i madh, një arritje e vërtetë.

"Nanotransportuesit" - këto janë molekula të mëdha proteinash, të cilat kanë disa pjesë, module. Molekula depërton në qelizë dhe e dërgon ilaçin në një pjesë të caktuar të saj. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në onkologji, ku paraqitet e nevojshme të ndikohet mbi qelizat e sëmura pa i shkaktuar dëm qelizave të shëndetshme gjatë kësaj. Megjithatë, modulet mund të zëvendësohen në varësi të qëllimit që pikësynohet të arrihet, çka hap perspektiva jashtëzakonisht të mëdha, shpreh besimin e vet Laureati i Çmimit ndërkombëtar Galien, Doktor i shkencave biologjike Aleksander Soboljev:

- Ne e quajmë këtë platformë, ajo mundëson dërgimin e medikamenteve të ndryshme në lloje të ndryshme të qelizave. Prandaj ne përgjithësisht besojmë se kjo metodë mund të përdoret jo vetëm në kuadër të zgjidhjes së problemeve të lidhura me kancerin, por edhe më gjerë në sferën e mjekësisë.

Studime të ngjashme po zhvillohen për më shumë se njëzet vjet në vende të ndryshme të botës. Por përparimet, arritjet kryesore në këtë fushë janë bërë vetëm në dhjetë vitet e fundit, ndër të tjera dhe nga shkencëtarët tanë. Nuk e fsheh gëzimin e vet edhe Kandidati i shkencave biologjike Andrei Rosenkranz, i cili gjithashtu u nderua me çmimin e sipërpërmendur:

- Ndjehem i lumtur dhe më vjen jashtëzakonisht mirë nga vetë fakti se ajo që ne jemi përpjekur të bëjmë dhe rezultati që kemi filluar të arrijmë morën një vlerësim dhe shpërblim të tillë kaq të lartë. Dhe më vjen veçanërisht mirë që ne e kemi bërë këtë këtu, në vendin tonë, duke u mbështetur në aftësitë dhe mundësitë tona, para së gjithash, në Akademinë e Shkencave dhe Universitetin e Moskës.

Aleksandër Soboljev thekson se në qoftë do të mundësohet vënia e teknologjisë në përdorim të gjerë, atëherë trajtimi mjekësor do të jetë i arritshëm për shumicën e pacientëve. Me një financim të denjë, të mirë, sipas fjalëve të shkencëtarit, kalimi tek provat dhe hulumtimet klinike të kërkojë gjithsej dy ose tre vjet:

- Vlerësimi me këtë çmim prestigjioz i punës sonë shumëvjeçare na gëzon pa masë, por njëkohësisht dhe na impenjon që t’i përkushtohemi me përpjekje maksimale realizimit në jetë të këtij zbulimi në të mirë të shkencës dhe njerëzimit.

Tani "nanotransportuesi" po kalon testimet paraklinike (preclinical tests). Por punët dhe studimet në këtë sferë janë ende larg finalizimit. Rebuset do të mjaftojnë edhe për disa dekada të tjera. Dhe, sipas fjalëve të Andrei Rosenkranz, për zhvillimin e një medikamenti efektiv do të nevojiten shumë e shumë vite pune të përditshme e skrupuloze.