Shefja e Përfaqësisë rumune të Fondit Andrea Schechter ka kritikuar ashpër politikën e qeverisë së Victor Ponta, e cila doli, sipas pikëpamjes së saj, e paaftë për të stimuluar "konsumin e brendshëm". "Rritja ekonomike në këtë vend mbetet e dobët", - e mbështeti kolegen e vet Zv.Drejtorja e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dr. Nemat Shafik.

Një unanimitet i tillë nuk bëri gjë tjetër veçse e ngatërroi akoma dhe më shumë situatën në lidhje me atë çka po ndodh me të vërtetë në ekonominë rumune. Mbetet, për shembull, krejtësisht e paqartë përse, duke bërë thirrje për nxitjen, stimulimin e rritjes së brendshme ekonomike, zyrtarët e FMN-së në të njëjtën kohë e ndalojnë qeverinë kombëtare të reduktojë taksat?

Përgjigja, siç ndodh shpesh, nuk dallohet për origjinalitetin e vet. Duke filluar polemikën e ashpër me Bukureshtin, FMN-ja doli jo në mbështetje të ekonomisë rumune dhe sipërmarrësve vendorë, por në mbrojtje të recetave të veta anti-krizë që nënkuptojnë hua dhe kredi multi-miliardëshe.

Për të arritur në një përfundim të tillë është e mjaftueshme t’i drejtohemi statistikave, si dhe vlerësimeve të ekspertëve të pavarur bërë situatës në Rumani dhe në të gjithë rajonin e Evropës Qendrore dhe asaj Lindore. Pasi konflikte të ngjashme FMN-ja ka edhe me Budapestin, edhe me Bratisllavën, edhe me Pragën.

Pikërisht këtë javë Banka Qendrore e Rumanisë, për të katërtën herë që nga muaji korrik, uli normën e skontimit në 4% - një tregues rekord i ulët ky. Arsyeja e këtij veprimi - dëshira për t'i dhënë një impuls të ri aktivitetit sipërmarrës në vend dhe për të sjellë normat në përputhje me performancën aktuale ekonomike, veçanërisht me inflacionin në rënie.

Këto veprime u përshëndetën nga analisti i Capital Economics William Jackson. Sipas vlerësimit të tij, ky hap ka një karakter mjaft pozitiv, madje më tepër se kaq. Ai rikujtoi se në shtator norma e inflacionit në Rumani ra në mënyrë fort të ndjeshme - deri në 1.9 %, edhe pse Banka Qendrore kishte parashikuar nivelin prej 2.5%. Kjo reflekton suksesin e politikës së qeverisë dhe Bankës Qendrore, të drejtuar për nxitjen e konsumit të brendshëm, dhe lejon vlerësimin më optimist të perspektivave të vendit.

Siç e shikojmë pra: në këtë rast është krejtësisht evidente kontradikta serioze me atë që thonë në lidhje me Rumaninë në FMN. Situata paraqitet analogjike edhe në marrëdhëniet e FMN-së dhe BE-së me Hungarinë. Komisioni Evropian dhe FMN-ja kritikojnë qeverinë e Viktor Orban për dështimin e pretenduar për të luftuar me krizën, kurse Zyra Statistikore e Komuniteteve Europiane - Eurostat - raporton mbi daljen e vendit nga recesioni. Edhe vetë FMN-ja pranon se, sipas rezultateve të këtij viti, ekonomia e Hungarisë do të rritet me 0.7 % (në kontrast me Republikën Çeke, ekonominë e të cilës e pret një rënie prej 1% të PBB-së). Parashikimi për Rumaninë rezulton edhe më impresionues - 2.2 %. Tregues ky që është për t’u patur zili nga shumë vende të eurozonës.