Eshtrat e Jaser Arafatit u zhvarrosën në nëntor të vitit të kaluar. Me iniciativën e kanalit televiziv "Al Jazeera" ato u studiuan në Institutin zviceran të Radiofizikës. Mbi rezultatet e ekzaminimit tregon vejusha e Liderit palestinez, Suha Arafat:

- Studimi zviceran ka konfirmuar druajtjen tonë - në rrobat e tij është gjetur një përmbajtje e lartë poloniumi - më shumë se 83%, çka është 18 herë më e lartë se ajo normale. Poloniumi është gjetur edhe në mbetjet mortore të të ndjerit: në mushkëri, në kafkë. Dhe ky është, padyshim, një krim politik i kryer nga profesionistë, pasi ne arritëm ta zbulonim këtë vetëm nëntë vjet më vonë.

Jaser Arafat ndërroi jetë në vitin 2004, por thashethemet rreth një helmimi të mundshëm nisën të qarkullojnë që para vdekjes së tij, kur politikanin në moshë të thyer e shtruan në gjendje shumë të rëndë në një spital të Parisit. Palestinezët kanë lënë të kuptohet që atëhere se në këtë sëmundje të rëndë të liderit të tyre kanë gisht izraelitët. Kurse në vitin 2009 njëri nga udhëheqësit e "Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Palestinës" ("Fatah"), Farouk Kaddoumi, akuzoi për përfshirje në vdekjen e Jaser Arafatit Kreun aktual të Autonomisë Palestineze Mahmud Abbas dhe Shefin e Shërbimit të Sigurimit të Autonomisë Mohammed Dahlan. Në të njëjtin vit Kongresi i Lëvizjes "Fatah" fajësoi zyrtarisht Izraelin për vdekjen e Arafatit. Dhe ja ekspertiza tregoi: me shumë gjasa, Lideri palestinez është helmuar. Të dyshuarit kryesorë në këtë krim janë: shërbimet speciale të Izraelit dhe rrethi i afërt i Arafatit. Megjithatë, përfshirja e Izraelit në këtë vrasje politike duket pak e besueshme, madje e pamundur, thotë ekspertja e Institutit rus të Studimeve Orientale Tatiana Nosenko:

- Si zor të qe e nevojshme ndërmarrja e hapave të tillë të rëndë, kaq seriozë për eliminimin e tij. Ky version mua më duket pak i besueshëm. Ishte bërë krejtësisht evidente se si lider ai po e humbiste ndikimin e tij, edhe pse vazhdonte të mbetej simbol i lëvizjes kombëtare palestineze.

Nëse Arafati nuk do të ishte figurë me ndikim, ai do të kishte patur një vdekje të qetë, të natyrshme, mendon eksperti i Institutit rus të Lindjes së Mesme Sergei Serjogiçev. Por edhe ai nuk beson në përfshirjen e Izraelit në vdekjen e Udhëheqësit të rezistencës palestineze. Arafat ishte vërtetë një politikan mjaft i komplikuar, por me të mund të negociohej, të arrihej në marrëveshje, thotë Sergei Serjogiçev:

- Edhe në qoftë se me të vërtetë ndikimi i tij në politikë në vitet e fundit të jetës ka qenë minimal, megjithatë vetë prania e tij fizike frenonte në veprimet e tyre shumë radikalë. Ndoshta atë e hoqën qafe për shkak të faktit se ai preferonte më tepër të negocionte, të merrej vesh me izraelitët, se sa të luftonte me ta. Ndërsa brezi i ri i politikanëve mendonte se ata do të jenë në gjendje me paratë iraniane, duke përdorur raketat më të fundit "Qassams", të arrijnë prej Izraelit përfitimin e kushteve të favorshme për veten.

Ekspertët besojnë se lajmi i vdekjes së dhunshme të Jaser Arafatit me siguri do të bëhet shkas për ashpërsimin e konfrontimit si brenda vetë Lëvizjes "Fatah", ashtu dhe brenda gjithë Autonomisë Palestineze.