Parakaluan nëpër Sheshin e Kuq kuadratet e rregullta të kavaleristëve, artileristëve, ushtarëve të këmbësorisë së motorizuar, trupave të qitësve skiatorë, ushtarëve të këmbësorisë, njësive të rezervistëve dhe vullnetarëve popullorë. Nga tribunat marshimin e ndoqën të emocionuar e me sy të përlotur rreth tetë mijë mysafirë, në mesin e të cilëve ishin edhe veteranët e luftës. Me fjalë mirënjohjeje atyre iu drejtua Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobjanin:

- Në këtë ditë ne përkulim sërish kokat tona përpara kujtimit të ndritur të të gjithë atyre që nuk arritën të jetojnë deri në ditën e Fitores. Ne ju falenderojmë juve, të shtrenjtët veteranë tanë, ne krenohemi me ju dhe jemi të lumtur që sot jeni përsëri pranë nesh. Së bashku me ju festën e kremtojnë fëmijët tuaj, nipërit e mbesat, stërnipërit.

Para fillimit të marshimit pjesëmarrësit e paradës luajtën përpara spektatorëve një skenë të vogël të teatralizuar të Betejës së rikonstruktuar të Moskës. Kurse në parakalimin pasues u përfshinë edhe nxënësit e 28 shkollave ushtarake, kadetët e shkollave “Suvorov”, anëtarët e klubeve patriotike-ushtarake dhe njësive rinore të bojskautizmit të Moskës, gjithsej rreth 3.5000 vetë. Nga tribunat parakalimin e të rinjve e ndoqën bashkëmoshatarët dhe shokët e tyre nga qytete dhe vende të tjera. Siç u shpreh mysafiri nga Minsku, Sergei Bikov, zhvillimi i këtij marshimi është bërë tashmë një traditë e mirë:

- Të gëzon pa masë fakti se këto data historike vazhdojnë të ruhen dhe se të rinjtë nderojnë kujtimin e të rënëve, atyre që nuk u kthyen nga fushat e betejave, që flijuan jetën për çlirimin e atdheut. Dhe marshimi i tyre është shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë ushtarët e rënë.

Parada e 7 nëntorit të vitit 1941 u zhvillua kur trupat hitleriane ishin shumë afër kryeqytetit rus, kur gjëmimi i kanonadave të artilerisë dëgjohej në periferitë e Moskës. Vendimi i guximshëm, madje sfidues, i komandës sovjetike për ta mbajtur atë në kushte të tilla i frymëzoi dhe i mbushi pjesëmarrësit e paradës me shpresën e arritjes së fitores dhe besimin se Ushtria e Kuqe ka forca të qenësishme për rezistencë.