"Perandoria e re Arabe" - kështu e kanë titulluar artikullin e publikuar në të përditshmen spanjolle "La Vanguardia". Të dhënat e mbledhura nga ky botim janë me të vërtetë mbresëlënëse. Kështu, Katarit i përkasin Kulla Shard dhe Qëndra Botërore Tregtare Harrods (World Trade Center Harrods) në Londër. Doha kontrollon gjigandin francez të informacionit Lagardère, markën legjendare amerikane të argjendarisë Tiffany, kompanitë gjermane Volkswagen-Porsche dhe Siemens. Emiratet e Bashkuara Arabe zotërojnë 100% të aksioneve të kompanisë spanjolle të naftës CEPSA, ato janë partnere të firmave të tilla si General Electric, Airbus dhe Boeing. Kuvajti ka blerë selinë europiane të Bank of America, investon paratë e veta në zhvillimin e një prej projekteve më të mëdha të sferës së ndërtimit urban Hudson Yards në Nju Jork. Po këto vende të lartpërmendura po marrin tani nën kontrollin e vet futbollin botëror.

Autoritetet e shteteve të Gjirit Persik deklarojnë se mes tyre ka një konkurrencë mjaft të ashpër. Por në veprimet e këtyre vendeve arabe gjurmohet, evidentohet më tepër një bashkërendim, pajtim i habitshëm.

Më e dukshme është kjo në dy sektorë: transporti ajror dhe futbolli. Gjiri Persik po shndërrohet haptazi, mu përpara syve tanë, në një nyje të fuqishme tranziti, në urë mes Evropës, SHBA-së dhe Azi-së. Doha, Dubai dhe Abu Dhabi tani janë të impenjuar me ndërtimin e terminaleve madhështore ndërkombëtare, pranë të cilave do të ndërtohen qendra tregtare dhe hotele luksoze. Edhe jashtë shtetit biznesi i transportimeve ajrore i Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe po zhvillohet në mënyrë mëse të suksesshme: linjat e tyre ajrore shtetërore po hapin vazhdimisht itinerare të reja për në Shtetet e Bashkuara, Azi, Afrikë dhe në Lindjen e Mesme dhe janë konsideruar më të mirat në botë. Përsa i përket futbollit, në këtë rast mjafton të përmendim vetëm shembullin spanjoll. Këtu ndërveprojnë me shkathtësi e mjeshtëri të madhe dy mjete të fuqishme të propagandës: klubi "Real Madrid" sponsorizohet nga linjat ajrore të Emirateve, ndërsa "Barcelona" prej konkurrentit të tyre - Qatar Airways.

Me pak fjalë, është krejtësisht evidente se Doha, Dubai dhe Abu Dhabi veprojnë sipas një plani të bashkërenduar mirë. Tani për tani fjalë bëhet për krijimin e një plasdarme ekonomike. Ndërsa ekspansioni i mëtejshëm i tyre mund të zhvendoset në rrafshin politik, thotë eksperti orientalist rus Sergei Demidenko:

- Tani elitat financiare të Gjirit Persik janë bërë pjesë e elitës globale. Tashmë të gjitha këto shtete kanë mundësi të realizojnë në jetë një linjë plotësisht të pavarur politike. Ato tani janë shndërruar në partnere të barabarta të kompanive perëndimore dhe biznesit të madh. Shuma kolosale parash janë pompuar në Evropë prej tyre. Dhe në këto kushte është i pashmangshëm edhe ekspansioni politik, edhe ekspansioni kulturor.

Eksperti nuk përjashtoi mundësinë që organizatat radikale, të cilat operojnë aktualisht në Evropë, të financohen nga qarqe të caktuara të vendeve të Gjirit Persik. Deri tani ato kanë vepruar në mënyrë mjaft të përmbajtur. Megjithatë, ne duhet të marrim parasysh faktin se edhe Katari, edhe Arabia Saudite besojnë se atyre u është besuar njëfarë "misioni historik" për përhapjen e "Islamit të vërtetë", - Vehabizmit, Salafismit (Wahhabism, Salafism). Kështu që pa përzierjen e politikës në çështjet e fesë nuk ka si bëhet dot.