Korrespondenti i "Zërit të Rusisë": Zoti Ströbele, të enjten e kaluar, më 31 tetor, ju u takuat në Moskë me Edward Snowden. Sa kohë zgjati bashkëbisedimi juaj?

Hans-Kristian Ströbele: Pothuajse tre orë. Gati deri në orën 19.30 të mbrëmjes.

Korrespondenti i "Zërit të Rusisë": Çfarë diskutuat Ju me të?

Hans-Kristian Ströbele: Unë shkova në Moskë për të sqaruar se si mund të na ndihmojë zoti Snowden në hetimin e aferës me spiunazhin, në veçanti, në Gjermani. Pyetja e dytë, që i drejtova atij, ishte nëse është i gatshëm ai për të njoftuar gjithçka di rreth kësaj çështje në Gjermani, për shembull, përpara Drejtësisë gjermane, Prokurorit të Përgjithshëm ose Parlamentit, në qoftë se do të krijohet komisioni parlamentar për zhvillimin e hetimit.

Korrespondenti i "Zërit të Rusisë": Ju thatë se zoti Snowden është i gatshëm të deponojë në territorin e Gjermanisë. Çfarë materialesh ka në dorë ai?

Hans-Kristian Ströbele: Për këtë unë nuk jam në dijeni. Gjithë çka di është se dokumentet që tani bëhen publike gati çdo javë, çdo muaj në mbarë botën - në Brazil, Itali apo Gjermani - sugjerojnë se NSA-ja spiunon kudo, "pompon" vëllime të pafundme informacioni dhe se një pjesë e konsiderueshme e këtyre dokumenteve të klasifikuara janë tani në dispozicion të Snowden. Unë nisem në logjikën e gjykimit tim nga fakti se ai i njeh mirë dokumentet me të cilat ka punuar dhe se është në gjendje, si një ish-bashkëpunëtor shumëvjeçar i shërbimit të inteligjencës amerikane, t’i deshifrojë ato. Dhe ai konfirmoi se ka se çfarë të thotë në lidhje me këtë.

Korrespondenti i "Zërit të Rusisë": Po diskutohet vallë mundësia e dhënies së azilit politik Edward Snowden-it në Gjermani. Cilat janë shanset e tij për ta marrë atë?

Hans-Kristian Ströbele: Ligjërisht kjo është plotësisht e mundur. Por duhet të dëshirosh fort ta bësh këtë gjë. Ekzistojnë dy mënyra për t’i siguruar z. Snowden mundësinë e qëndrimit këtu, në Gjermani. Së pari, dhënia e azilit atij. Në këtë rast ai duhet t’i nënshtrohet gjithë procedurës së marrjes së azilit dhe të provojë se i nënshtrohet me të vërtetë persekutimit politik. Së dyti, Ministri Federal i Punëve të Brendshme mund t’i lejojë atij qëndrimin në vend duke u bazuar në arsyet, konsideratat politike dhe humanitare. Kjo është e shkruar në ligjin tonë. Ministri Federal i Punëve të Brendshme mjafton ta dëshirojë një gjë të tillë.

Korrespondenti i "Zërit të Rusisë": Të hënën, më 4 nëntor, Kancelarja Federale Angela Merkel njoftoi opinionin publik nëpërmjet Zëdhënësit të saj qeveritar Steffen Seibert: "Aleanca Transatlantike mbetet për ne, gjermanët, e një rëndësie parësore". Mos është vallë kjo një "jo" e padiskutueshme? Si duhet kuptuar pozicioni i Kancelares federale?

Hans-Kristian Ströbele: Jo, ky është një konfirmim i besnikërisë ndaj partneritetit, por ndoshta, edhe miqësisë me SHBA-në dhe qeverinë e saj. Ne jemi të detyruar të mbajmë shumë negociata pikërisht me Shtetet e Bashkuara, sepse zoti Snowden shprehu deklaratën e mëposhtme: për atë vetë nuk janë dhe aq të rëndësishme Gjermania dhe Evropa si të tilla, se sa arritja e qëllimit që në Shtetet e Bashkuara të ndalohet praktika e përgjimit dhe të mos kryhen veprime të mundshme kriminale.