Partia në pushtet e Belgjikës i propozoi Parlamentit për të zgjeruar rregullat për kryerjen e eutanazisë dhe përhapjen e tyre edhe mbi fëmijët. Vdekja e mëshirshme me ndihmën e mjekëve tashmë mund të aplikohet ligjërisht për personat me moshë mbi 18 vjet. Tani Belgjika mund të bëhet vendi i parë ku është legalizuar eutanazia për fëmijët.

Pas legalizimit të eutanazisë në Belgjikë numri i vdekjeve nën kujdesin e mjekut në vitin 2003 rezultoi të jetë 235, kurse në vitin 2012 gati 1.500. Presidenti i Lëvizjes katolike europiane The Pro-Life Action League, Dries Goethals, shpreh shqetësim në lidhje me faktin se shoqëria moderne është duke e vlerësuar gjithnjë e më pak dhuratën e jetës. Sipas mendimit të tij, legalizimi i vdekjes me anë të eutonazisë vullnetare është një veprim krejtësisht i papërgjegjshëm:

- Mos është vallë jeta e njeriut që vuan më pak e vlefshme? Kjo është mënyrë jo e krishtere dhe johumane e të menduarit. Kjo është një qasje hedoniste: jeta është e mirë vetëm atëhere kur ne e gëzojnë atë, ndërsa kur nuk marrim më kënaqësi nga jeta ajo e humbet vlerën e saj.

Profesori i pediatrisë në Universitetin e Groningenit, Pieter Sauer, në të kundërt, mendon se fëmijët kanë të drejtë për të zgjedhur eutanazinë:

- Ndodh që fëmija i sëmurë vuan shumë, kurse ne nuk mund t’ia lehtësojmë dot vuajtjet atij. Raste të tilla janë përjashtime tepër të rralla, por nganjëherë ne arrijmë në konkluzionin se vdekja do të jetë më humane sesa mbajtja në jetë e të sëmurit të pashërueshëm, e cila është e mbushur plot me vuajtje. Prandaj, ne mendojmë se një mundësi e tillë duhet të ekzistojë.

Megjithatë, Profesor Pieter Sauer thekson se kjo është një çështje shumë e ndjeshme, tejet delikate. Ai u konsultua me homologët belgë në lidhje me debatin aktual në parlament dhe shprehu pikëpamjen e tij se çdo rast i veçantë duhet të shqyrtohet nga një komision i posaçëm, i cili të përfshijë një mjek, një specialist për rregullat e etikës dhe një jurist:

- Sipas mendimit tim, do të ishte më mirë të përpiloheshin një sërë rregullash, por me kusht që gjatë aplikimit të tyre çdo rast të merrej në konsideratë veç e veç. Ky është opsioni i vetëm. Sepse nuk mund të thuhet ashtu thjesht: kjo është e lejuar ndërsa kjo e ndaluar. Meqenëse çdo rast është unikal.

Tani, përveç Belgjikës, eutanazia është e lejuar zyrtarisht në Holandë, Luksemburg dhe disa shtete të SHBA-së. Nëse Parlamenti do të miratojë iniciativën e Partisë Socialiste, Belgjika do të bëhet vendi i parë në botë, ku të drejtën për t’u ndarë vullnetarisht nga jeta do ta marrin edhe fëmijët.