Siç është raportuar nga mediat e huaja, Kryeministri i Belgjikës, Elio Di Rupo, u ndaloi anëtarëve të qeverisë përdorimin e telefonave celularë gjatë kohës së zhvillimit të takimeve me dyer të mbyllura. Zyrtarët e lartë të Francës dhe Holandës i detyruan të zëvendësojnë telefonat e zakonshëm mobilë me pajisje që kanë funksionin e enkriptimit (drynosjes) të thirrjeve telefonike. Ndërsa autoritetet e Gjermanisë janë duke diskutuar mundësinë e krijimit të një softueri të veçantë për të mbrojtur bisedat telefonike të shërbyesve të tyre civilë.

Këto masa, mund të thuhet, janë marrë pikërisht në kohën e duhur në sfondin e konfirmimit në mënyrë indirekte prej Shteteve të Bashkuara se ato nuk kanë ndërmend të heqin dorë plotësisht nga survejimi i aleatëve të tyre, vë në dukje specialisti rus për sigurinë e informacionit Oleg Demidov:

- Deklaratat e përfaqësuesve të Shtëpisë së Bardhë, se të gjitha programet e survejimit të aleatëve evropianë do të pezullohen, kanë marrë tashmë një përgënjeshtrim të pjesshëm në vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kathleen Hayden, Zëdhënësja e Këshillit për Sigurinë Kombëtare të SHBA-së, deklaroi: po, ne jemi duke rishikuar vërtetë politikën tonë, por kjo nuk do të thotë aspak se ne kemi ndërmend ta anulojmë atë plotësisht.

Me shumë gjasa, amerikanët do të pezullojnë përkohësisht përgjimin e bisedave telefonike të politikanëve më të rëndësishëm, më autoritativë evropianë, sugjeron eksperti. Por si zor të besohet që Shtetet e Bashkuara të ndërpresin plotësisht aktivitetin e shërbimit të vet të inteligjencës në kontinentin evropian. Prandaj masat për mbrojtjen e të dhënave, që po diskutohen tani aktivisht në Belgjikë, Holandë, Francë dhe vende të tjera, janë krejtësisht logjike.

Preokupimi për garantimin e sigurisë së informacionit tashmë është bërë normë për shumë kompani komerciale, ndër të tjera edhe në Rusi. Në disa kompani ka filluar të veprojë madje një rregull i tillë: të punësuarit në to që kur vijnë në punë në mëngjes dorëzojnë telefonat mobilë personalë. Por është e nevojshme megjithatë krijimi i një programi të ri software për enkriptimin (drynosjen) e bisedave që bëhen në telefonat celularë. I gjithë problemi konsiston në faktin se shumica e programeve ekzistuese janë të përpunuara në bazë të standardeve amerikane. Prandaj përdorimi i tyre, sipas fjalëve të Oleg Demidov, nuk është i parrezikshëm:

- Doli se algoritmet e Encryption (Drynosjes) të SHBA-së janë të rrezikuara, të prekshme. Rreth këtyre të metave, pikave të dobëta, zhvilluesit amerikanë kanë informuar agjencitë e zbulimit të SHBA-së, ndërsa këto të fundit janë plotësisht në gjendje t’i shfrytëzojnë dobësi në fjalë në avantazhin e tyre.

Bashkëpunimi i zhvilluesve amerikanë të programeve të algoritmeve Encryption me shërbimet e fshehta speciale e ka komprometuar keq biznesin. Është dëmtuar paq jo vetëm reputacioni i laboratorëve dhe institucioneve të veçanta në Shtetet e Bashkuara, por edhe i shumicës së kompanive që punojnë në fushën e IT-teknologjisë, theksojnë ekspertët.