Për Agjencinë Kombëtare të Sigurimit të SHBA-së, tha më tej në intervistën e saj me gazetën greke "Naftemporiki" Viviane Reding, duhet medoemos një "kundërpeshë". Prandaj, deklaroi Komisionerja evropiane, ajo del me iniciativën afatgjatë - dhe pikërisht, për të krijuar deri në vitin 2020 shërbimin vetiak të inteligjencës evropiane. Në këtë kontekst "EUobserver" rikujton se në momentet e tanishme shërbimet e sigurisë të shteteve anëtare të BE-së bashkëpunojnë mjaft ngushtë mes tyre. Ato, në veçanti, shkëmbejnë informacionet që kanë të bëjë me rreziqet kërcënuese të terrorizmit ndërkombëtar dhe konfliktet e armatosura përmes të së ashtuquajturës Qendra e Përbashkët e Situatave e BE-së (EU Intelligence Analysis Centre - INTCEN).

Në lidhje me intervistën e Viviane Reding, Internet portali thekson se ajo shprehu në këtë rast vetëm opinionin e saj personal. Meqë ra fjala, kujton "EUobserver", për herë të parë ideja e krijimit të shërbimit vetiak të inteligjencës të BE-së është shprehur që në vitin 2004 nga Austria dhe Belgjika. Shkas për këtë shërbeu shpërthimi në trenin në Madrid, i cili mori jetët e rreth 200 njerëzve krejtësisht të pafajshëm. Por atëhere, sipas fjalëve të Internet portalit, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca preferuan ta bëjnë veshin të shurdhër ndaj apelit të Austrisë dhe Belgjikës. Në korrik të këtij viti, siç është raportuar nga mediat, Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) ka dalë me një parashtrim më të detajuar të projektit të krijimit të shërbimit evropian të inteligjencës dhe sigurisë. Në dispozicion të tij planifikohet të vihen UAVs (avionë pa pilot apo drones), aviacioni dhe madje satelitë të mbikëqyrjes. Edhe pse ideja është mbështetur nga Gjermania, Franca, Spanja, Italia dhe Polonia, shumica e ekspertëve e quajnë projektin joreal - si për motive ekonomike, ashtu dhe për shkak të mosmarrëveshjeve ekzistuese midis partnerëve. Shprehet mjaft skeptik në lidhje me projektin në fjalë edhe eksperti rus Igor Korotçenko:

- Çdo shërbim zbulimi duhet të kenë rrjetin e vet agjenturor, mjetet elektronike të përgjimit. Në këtë kuptim, është e qartë se këto funksione do t’i kryejnë megjithatë shërbimet kombëtare të inteligjencës të shteteve anëtare të BE-së. Ka më shumë gjasa që struktura e re e shërbimit të inteligjencës, nëse ajo do të krijohet në të vërtetë, të angazhohet me tepër me zgjidhjen e detyrave analitike, parashikuese, se sa me punë reale operative.