Për herë të parë si partner mediatik i koncerteve Ansamblit "Aleksandrov" del "Zëri i Rusisë".

Piotr Skulski është mëse i bindur se këto turne janë nga ngjarjet më të rëndësishme, më të spikatura dhe më mbresëlënëse në jetën kulturore të Polonisë. Në turneun e tanishëm do të nisen 130 artistë dhe 30 vetë nga personeli teknik me instrumentet muzikore, kostumet dhe pajisjet e nevojshme të skenës. Itinerari polak i turneut të Ansamblit rus çdo vit ndryshon, po ashtu si dhe repertori i tij, ndërsa pritja që i bëhet atij është gjithmonë shumë e ngrohtë:

- Pas koncerteve të para ne nuk e dinim nëse do të priteshin shfaqjet e tjera po aq ngrohtë sa dhe të parat, nëse do të kishte ovacione po të tilla të bujshme nga ana e publikut dhe salla të mbushura plot e përplot. Por sallat vazhdojnë të jenë të mbushura dhe s’ke ku të hedhësh kokrrën e mollës, publiku reagon me entuziazëm, kurse biletat shiten në çast.

Çdo herë itinerari i turneut të radhës në Poloni dallohet nga ata të mëparshëm. Ne përpiqemi të shkojmë atje ku nuk kemi qenë më parë dhe falë kësaj publiku ynë është vazhdimisht në rritje.

10 vjetët e bashkëpunimit të Agjencisë polake EAR, Drejtorit të saj dhe artistëve ushtarakë rusë, kanë hedhur themelet e një miqësie të fortë. Piotr Skulski vjen shumë shpesh në Rusi, e njeh për mrekulli atë dhe e flet rrjedhshëm rusishten:

- Unë jam miqësuar jo vetëm me të gjithë anëtarët e Ansamblit "Aleksandrov", por, mund të them, edhe me gjithë ushtrinë ruse. Mua më ftojnë shpesh në Rusi në festa dhe koncerte ushtarake.

Sado e çuditshme që të duket kjo, në komunikimin me rusët Piotr Skulski-n e ndihmon historia e komplikuar e marrëdhënieve ruso-polake:

- Është e vërtetë se historia më ndihmon mua shumë. Vëllai i stërgjyshit tim, Leopold Skulski, ka qenë kryeministër polak në gjysmën e parë të vitit 1919, kurse në vitet 1920-1921 ka kryesuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Polonisë. Duke qenë një njeri pak nacionalist, pak socialist ai dha dorëheqjen në shenjë proteste kundër përdorimit të armëve ndaj punëtorëve grevistë. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore ai u arrestua nga NKVD-ja (Komisariati Popullor i Punëve të Brendshme i BRSS-së) në territorin e Bjellorusisë së sotme dhe u zhduk pa lënë gjurmë.

Unë ia tregoj këtë histori miqve të mi rusë, duke synuar të provoj se në fatin e shumë polakëve kanë ndikuar marrëdhëniet e komplikuara polako-ruse, por kjo nuk duhet të errësojë marrëdhëniet tona aktuale. Le t’a lëmë historinë për historianët. Historia dhe koha e sotme janë në plaste, rrafshe të ndryshme kohore. Unë nuk mund ta shikoj bashkëpunim me rusët nëpërmjet prizmit të fatit të kushëririt tim, i cili ka jetuar 100 vjet më parë! Të njohësh historinë është një gjë, ndërsa të krijosh marrëdhënie bashkëkohore, racionale dhe pozitive me Rusinë - diçka krejtësisht tjetër.