Emri i kompanisë dhe detyra e re e demaskuesit të veprimtarisë së shërbimeve sekrete amerikane tani për tani mbahen sekret. Nuk dihet gjithashtu nëse amerikani do të punojë në zyrë apo në mënyrë të distancuar - nëpërmjet Internetit. Avokati Anatoli Kuçerena, i cili përfaqëson interesat e Edward Snowden në Rusi, thotë se mbajtja sekret e këtij informacioni është e domosdoshme për sigurinë e të "arratisurit". Ndërkaq Anatoli Kuçerena vuri në dukje se probleme, ndër të tjera edhe gjuhësore, në vendin e ri të punës atij nuk duhet t’i lindin:

- Unë duhet të them se ai po merret tani intensivisht me studimin e gjuhës ruse. Ndërsa përsa i përket punës në përbërjen e ekipit rus, ai do të jetë i angazhuar në mirëmbajtjen e faqes së njërës prej kompanive më të mëdha. Ju e kuptoni fare mirë se çdo të thotë mirëmbajtja përkatëse e një site të tillë ... Kjo punë kërkon kryesisht njohjen e programeve, njohjen e mirë të produktit të programit dhe kështu me radhë.

Shumë ekspertë kanë vënë në dukje se Edward Snowden do të gjejë lehtësisht punë në Rusi. Specialistët kompetentë në fushën e teknologjisë së informacionit me njohje të shkëlqyer të gjuhës angleze janë shumë të kërkuar. Në njëfarë mënyre kjo është konfirmuar edhe nga themeluesi i rrjetit social rus "Vkontakte" Pavell Durov. Ai e ftoi amerikanin të punojë me të që në gusht, menjëherë pasi Snowden-it iu dha azili i përkohshëm në Rusi.

Përveç rrjeteve sociale në shërbimet e Edward Snowden mund të jenë të interesuara edhe kompanitë që merren me zhvillimin e anti-virus software, motorët e kërkimit si dhe shërbimet postare.

Problemi kryesor konsiston në faktin se sa i mirë është si specialist ish-oficeri i shërbimit të fshehtë amerikan. Por për këtë është vështirë të gjykohet tani për tani, thotë eksperti rus i sferës së teknologjisë së informacionit (IT), Aleksandër Vllasov:

- Është e qartë se ai zotëron njohuri në fushën e të drejtave civile dhe informon opinionin publik në lidhje me problemet që lindin. Sa i mirë është Snowden si specialist i IT, këtë nuk mund ta thotë askush deri sa ai të fillojë punë. Por, nga ana tjetër, në qoftë se ai ka punuar në Agjencinë e Sigurimit Kombëtar (NAS), kjo do të thotë se ka aftësi dhe njohuri goxha të mira në sferën e IT-së dhe në atë të sigurisë së informacionit. Pra, unë mendoj, se si specialist ai mund të jetë shumë i kërkuar në çdo kompani.

Edward Snowden u bë i njohur pas bërjes publike të informacionit se shërbimet e inteligjencës amerikane merren me mbikëqyrjen globale në Internet dhe përgjojnë telefonat e njerëzve në vende të ndryshme të botës. Në fund të qershorit ai mbërriti në Moskë dhe për më shumë se një muaj ka qëndruar në zonën e tranzitit të aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit "Sheremetievo". Më 1 gusht ai mori azil të përkohshëm politik në Rusi për një vit. Nga ana e vet, agjencitë e zbatimit të ligjit të SHBA-së po përpiqen të arrijnë ekstradimin e Edward Snowden. Në atdhe atë e kanë akuazuar për spiunazh dhe për zbulimin e informacionit të klasifikuar. Për secilën prej këtyre akuzave ai mund të përballet me dënimin deri në 10 vjet burg.