Me shumë gjasa, substancat toksike do t’i riciklojnë në Shqipëri nën drejtimin e Belgjikës ose Francës. Nuk do të mbetet pa u përfshirë në këtë proces edhe Rusia. Moska mund të akordojë për këto qëllime rreth 2 milionë $.

Siria nuk është më në gjendje për të prodhuar armë kimike. Vendi ka zbatuar në mënyrë rigoroze pikën e parë të programit - që aty nga 1 nëntori të shkatërrojë të gjitha pajisjet disponuese për prodhimin e substancave toksike si dhe mjetet e përdorura për transportimin e armëve kimike. Informacionin, të cilin, në kuptimin e plotë të fjalës, e priste e gjithë bota, e bëri publik Përfaqësuesi i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK), Christian Chartier.

Tani fuqive botërore do t’u duhet të zgjidhin problemin më të rëndësishëm - ku të asgjësojnë stoqet e akumuluara të armës kimike të Damaskut. Deri në 15 nëntor duhet të shkatërrohen 1.300 kg substanca toksike luftarake. Në vetë Siri kjo është e pamundur të bëhet për shkak të konfliktit në vazhdim.

Siç u bë e njohur në prag, armët kimike ka shumë të ngjarë t’i transportojnë në Shqipëri. Së pari, Tirana, e cila është pothuajse tërësisht e orientuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka gjasa t’i refuzojë kërkesën përkatëse Uashingtonit. Së dyti, shqiptarëve u premtojnë për këtë shërbim një financim mjaft të mirë. Përveç kësaj, vendi tashmë ka përvojën e një eksperimenti të tillë. Gjashtë vjet të shkuara autoritetet lokale kanë përfunduar procesin e parë në historinë botërore të çarmatimit të plotë kimik me ndihmën e Gjermanisë, Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara. Tirana në vitin 2007 shkatërroi rreth 16 ton gaz Iprit (Mustard gas) dhe substanca të tjera toksike të akumuluar që në kohët e sundimit të diktatorit Enver Hoxha, tregoi kimisti Bjorn Arne Xhonson, i cili për më shumë se 30 vjet merret me problemet e armëve kimike:

- Unë besoj se arsyeja e zgjedhjes së këtij vendi konsiston pikërisht në faktin se Shqipëria ka asgjësuar jo shumë kohë më parë armët e veta kimike dhe e ka bërë këtë në mënyrë plotësisht të suksesshme. Prandaj ajo është pretendentja më e besueshme ndër gjithë vendet e tjera.

Gazetat amerikane shkruajnë se Shqipërinë mund ta ndihmojë në asgjësimin e armëve kimike siriane edhe një vend tjetër - Belgjika ose Franca. Në bashkëpunim me këto shtete po zgjidhet edhe një çështje tjetër - ajo e transportimit të substancave toksike, - vazhdon Bjorn Arne Johnson:

- Fillimisht ishte menduar transportimi i armëve kimike në Shqipëri me anije. Por Suedia deklaroi se ajo mund t’i çojë ato në destinacion me avion. Unë mendoj se nuk do të ishte keq që të transportohej në këtë mënyrë potenciali i armës kimike nga Siria në Shqipëri.

Nuk do të mbetet mënjanë nga ky proces as Moska. Së bashku me dhjetra vende të tjera Rusia, siç pritet, do të japë për asgjësimin e armëve kimike siriane rreth dy milionë dollarë si dhe do të ofrojë mjetet e nevojshme për transportimin e arsenalit kimik të Sirisë.