Shkencëtari Conrad Hoskin nga Universiteti Xhejms Kuk (from James Cook University), i cili zbuloi gekonin, hardhucën dhe bretkocën gjatë ekspeditës së ndërmarrë në gadishullin Cape York në verilindje të Australisë në fillim të këtij viti, premtoi në intervistën e vet me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" edhe zbulime të tjera. Por a janë me të vërtetë kaq të rralla zbulimet e specieve të reja në botën e sotme? Me këtë pyetje ne iu drejtuam shkencëtarëve biologë rusë.

Doli se ka akoma vende të tilla në planetin tonë, ku nuk ka shkelur kurrë këmba e njeriut. Si rezultat i ekspeditës së zhvilluar në Cape Melville, në veri të Australisë, shkencëtarët zbuluan 3 lloje të reja të kafshëve vertebrore (kurrizore) që kanë jetuar në izolim relativ nga pjesa tjetër e botës disa milionë vjet.

Cape Melville - ky është një varg malor pothuajse i pakalueshëm në gadishullin Cape York. Shkencëtari Conrad Hoskin dhe ekipi i xhirimit të filmit dokumentar për National Geographic gjetën në peizazhin shkëmbor të Cape Melville njëherazi tre specie të panjohura më parë të kafshëve vertebrore: gekonin bishtgjethe (Uroplatus henkel), hardhuckën "e artë" (skink) dhe bretkocën e verdhë të gurit me pika. Conrad Hoskin i tregoi "Zërit të Rusisë" mbi vendin e quajtur prej tij "bota e humbur":

- Unë kam ëndërruar prej shumë kohësh që të studioja këtë varg malor. Dhe ja, më në fund, në fillim të këtij viti mu dha kjo mundësi. Kur u ngjitëm në pikën më të lartë të vargmalit ne u impresionuam shumë, mbetëm pa gojë. Kjo ishte një zonë e vogël pylli tropikal që ndodhej mu në majë të malit. Pikërisht këtu, pas një apo dy ditësh, ne gjetëm plot 3 specie të reja të kafshëve vertebrore.

Sipas fjalëve të shkencëtarit, Cape Melville nuk është vendi i vetëm i studiuar në mënyrë të pamjaftueshme në Australi. Conrad Hoskin është mëse i bindur se në fund të oqeanit mund të jetojnë shumë e shumë specie të pazbuluara deri më sot. Përveç kësaj, ka mjaft zona të paeksploruara edhe në tropikët e Guineas së Re - ishullit jashtëzakonisht të madh në veri të Australisë.

Australia është një kontinent unikal, i cili u popullua më vonë se të gjitha kontinentet tjera të banuara. Ndërsa Cape York është një nga rajonet e fundit të botës që kanë mbetur ende të paeksploruar. Prandaj zbulimin e specieve të reja atje shkencëtarët e konsiderojnë krejtësisht të natyrshëm. Sipas fjalëve të shkencëtarit rus Semjon Grigoriev, biodiversiteti në rajonet tropikale është jashtëzakonisht i madh. Në Cape York në vitet e mëparshme shkencëtarët kanë identifikuar 700 lloje të reja vetëm të kurrizorëve tokësorë:

- Shkencëtarët zbulojnë specie të reja praktikisht çdo ditë të dytë. Australia Veriore - kjo nuk është një botë e humbur, por më tepër e pashkelur, e paeksploruar. Dhe shkencëtarët me siguri do të gjejnë në të ardhmen atje shumë lloje të reja bimësh dhe kafshësh.