"Unë e kam shkruar këtë libër, - tha ai, duke hapur prezantimin, - sepse mua më irriton, më indinjon tej mase ajo tabllo jo-objektive, e shtrembëruar e Rusisë bashkëkohore, e cila pikturohet në mënyrë të paragjykuar nga mediat perëndimore. Por kjo nuk do të thotë aspak se unë mbyll sytë ndaj problemeve që ekzistojnë në Rusinë e sotme".

Jens Jørgen Nielsen e bazon analizën e tij jo vetëm në njohuritë e thella teorike, si historian që është, por edhe në përvojën personale. Ai ka punuar në Rusi, në veçanti, si korrespondent i gazetës "Politiken", dhe e zotëron në mënyrë të shkëlqyer gjuhën ruse.

Duke analizuar zhvillimet në Rusi gjatë 20-30 viteve të fundit, Jens Jørgen Nielsen konkludon se idetë, përfytyrimet perëndimore rreth Rusisë janë si rregull subjektive dhe shpesh tejet të njëanshme. Shkrimtari vë nën pikëpyetje një sërë mitesh rreth Rusisë, të cilat janë mjaft të përhapura sot në Perëndim. Për shembull, autori tërheq vëmendjen ndaj faktit se në fund të viteve ‘80 ishte pikërisht elita e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (dhe jo shtresat e gjera të popullsisë së vendit) ajo që dëshironte vënien në zbatim të të ashtuquajturit "kapitalizëm i pastër". Por në vitet ‘90 ky kapitalizëm rezultoi të jetë "i vrazhdë dhe i zi". Kjo qe koha e drejtimit të Presidentit Boris Jeltsin, i cili në sytë e Perëndimit ishte një mbrojtës i flaktë i demokracisë në Rusi. Por ngjarjet rreth Shtëpisë së Bardhë (kështu quhet ndryshe godina e Qeverisë së Rusisë) dhe plot fakte të tjera dëshmojnë për të kundërtën, provon gazetari danez. Përveç kësaj, gjendja ekonomike e vendit nisi të përkeqësohet me shpejtësi. Në vitin 1998 ndodhi default-i dhe Rusia e poshtëruar, e përulur u detyrua t’i kërkojë kredi FMN-së si një vend i botës së tretë.

Sipas mendimit të autorit, ekzistojnë shumë indikacione që dëshmojnë se Perëndimi ndiqte si pikësynim transformimin e Rusisë në një shtet të dobët me politikë të brendshme dhe të jashtme të varur prej tij. Jens Jørgen Nielsen, në të kundërt, beson se Perëndimit në përgjithësi dhe Danimarkës, në veçanti, i duhet një Rusi krejtësisht tjetër - me ekonomi të fortë dhe politikë të jashtme të pavarur.

Ai theksoi në mënyrë të veçantë në prezantimin e librit të vet se Rusia bashkëkohore - Putiniane - po ndjek pikërisht një rrugë të tillë. Ajo ka bërë përparime dhe ka arritur suksese të caktuara në krahasim me Rusinë e kohës së Boris Jeltsin-it, duke zëvendësuar kursin e përuljes përpara Perëndimit me rrugën e vet të zhvillimit. Dhe është krejtësisht e gabuar të mendohet, siç pretendohet nga mediat perëndimore, se rusët, të cilët mezi arritën të çlirohen nga prangat e komunizmit dhe të mbushin mushkëritë me ajrin e freskët të lirisë në kohën e drejtimit të Jeltsinit, i vunë përsëri vetes vargonjtë në Rusinë e Putinit.

Në ceremoninë e prezantimit të librit, në të cilën erdhi një numër jashtëzakonisht i madh njerëzish, u vu në pah ndër të tjera edhe fakti se libri "RRUGA E VET - Putini dhe Rusia e re" është jo vetëm një vepër e ndershme, por dhe një akt i guximshëm, pasi autori i tij nuk pati frikë të shprehet kundër opinionit konvencional, karakteristik si për mediat daneze, ashtu dhe për politikanët danezë.