Kompleksi në fjalë është i projektuar për kapjen e raketave balistike me rreze të mesme dhe të vogël veprimi. Për Rusinë dislokimi i elementeve të sistemit amerikan të mbrojtjes antiraket në Evropë, veçanërisht në Rumani dhe Poloni, është krejtësisht i papranueshëm. Kjo përbën rrezik kërcënues real për forcat strategjike bërthamore të vendit - si për Trupat Raketore të Destinacionit Strategjik, ashtu dhe Forcat Bërthamore Detare, thekson eksperti ushtarak rus Mihaill Hodarjonok:

- Dislokimi i komplekseve antiraketore në afërsi të drejtpërdrejtë të rajoneve pozicionale të Trupave Raketore të Destinacionit Strategjik dhe zonave të shërbimit luftarak të kryqëzorëve tanë submarina strategjike mund të dobësojë ndjeshëm goditjen parandaluese dhe atë të kundërpërgjigjes ndaj armikut potencial. Prandaj pozicioni i Rusisë këtu është mëse i qartë: kjo mund të na dëmtojë në mënyrë të konsiderueshme.

Pozita e ekspertëve rusë në këtë çështje tejet të rëndësishme për sigurinë kombëtare është unanime - vendosja e elementëve të mburojës antiraketore në Evropë mund të minojë potencialin strategjik bërthamor të Rusisë.

Amerikanët refuzojnë të japin garanci ligjërisht detyruese se sistemi i mbrojtjes antiraket i SHBA-së nuk drejtohet kundër Rusisë. Ata preferojnë të kufizohen vetëm në deklarata verbale. Dhe problemi nuk qëndron aspak këtu në faktin se për palën amerikane krijimi i sistemit global të mbrojtës antiraket është shndërruar tashmë në një ide fikse, thotë analisti politik rus Ivan Konovallov:

- Kjo është e lidhur me dëshirën e SHBA-së për të krijuar njëfarë perde të hekurt rreth e përqark vendit për tu mbrojtur prej sulmeve të mundshme raketore nga jashtë. Prandaj amerikanët janë të gatshëm të ndërmarrin gjithfarë masash për arritjen e këtij qëllimi. Dhe kur fjalë bëhet për dhënien e ndofarë garancive (aq më tepër Rusisë, e cila është një fuqi potenciale bërthamore) mbi mosdrejtimin e mbrojtjes antiraket kundër Rusisë, amerikanët, natyrisht, nuk duan t'i japin ato. Për shkak se kjo do të dëmtojë konceptin e tyre të krijimit të perdes së hekurt të mbrojtjes antiraketore rreth e përqark pikërisht SHBA-së. Dhe kur Shtetet e Bashkuara shprehen mbi preokupimin e vet për mbrojtjen e Evropës, ky është tashmë momenti i dytë në konceptin e tyre. Para së gjithash SHBA-ja dhe krijimi rreth saj i sistemit të mbrojtjes antiraket është detyra prioritare e administratës së Shteteve të Bashkuara dhe Pentagonit.

Kompleksi konkret i masave të mundshme nga ana e Rusisë ndaj pozicionimit të elementëve të sistemit amerikan të mbrojtjes antiraket në Evropë është artikuluar në mënyrë të përsëritur, thekson eksperti. Rusia reagoi me dislokimin e komplekseve më të fundit raketore "Iskander" në rajonin e Kaliningradit dhe me veprime të caktuara të Trupave Raketore të Destinacionit Strategjik, natyrisht, në qoftë se ato do të marrin udhëzimet relevante nga ana e udhëheqjes së vendit. Në të njëjtën kohë, rifillimi i konfrontimit politik midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara nuk i leverdis asnjërës palë. Tani dy vendet, në të kundërtën, duhet të veprojnë bashkarisht për të zgjidhur, për shembull, problemin e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.