Në ceremoninë solemne të inaugurimit të tij ishin të pranishëm edhe Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe Kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON, angl. IOC) Thomas Bach.

Terminali i ri është një stacion hekurudhor modern me sipërfaqe mbi 23 mijë metra katrorë, ai është i aftë të pranojë afërsisht 15.000 njerëz në orë. Ndërsa njëkohësisht në ndërtesën e tij mund të qëndrojnë rreth dy mijë pasagjerë. Vlen të përmendet veçanërisht se autorët e projektit dhe ndërtuesit kanë përdorur në punën e tyre vetëm teknologjitë më të përparuara. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të ceremonisë Udhëheqësi rus rikujtoi se tre vjet më parë ai vendosi kapsulën në themelet e këtij stacioni. Sot, sipas mendimit të Presidentit, projekti mund të konsiderohet plotësisht i realizuar:

- Ne mund të konstatojmë me krenari se puna është e përfunduar. Soçi përfitoi me këtë një portë të vërtetë transporti edhe për qytetin, edhe për gjithë rajonin - për Jugun e Rusisë dhe, natyrisht, për Olimpiadën e ardhshme. Ky kompleks sjell së bashku në një rrjet të unifikuar të gjitha llojeve e komunikacioneve, çka, padyshim, do të reduktojë mprehtësinë e problemit me të cilin përballeshin shumë njerëz. Kam parasysh disponueshmërinë dhe komoditetin e lëvizjes së qytetarëve të vendit tonë dhe vizitorëve të Olimpiadës.

Një nga çështjet kyçe gjatë ndërtimit të stacionit të trenit ishte ajo e kursimit të energjisë elektrike. Për kursimin e energjisë mbi çatinë e godinës së stacionit u montuan panele diellore, një zonë rekreative dhe atriumi me kopshtin dimëror.

Para ceremonisë së inaugurimit Vladimir Putin dhe Presidenti i KON (IOC) nga aeroporti deri në stacionin e sapondërtuar mbërritën me trenin e ri ekspres mjaft komfort "Llastoçka" ("Dallëndyshja"). Prodhimi i një teknike të tillë ka filluar prej kohësh në rajonin e Uraleve në bashkëpunim me koncernin "Siemens". Mbi stacionin e ri ata folën edhe më vonë, gjatë bisedimeve të zhvilluara në rezidencën e Kryetarit të shtetit rus "Boçarov ruçej" në Soçi. Thomas Bach theksoi se stacioni i ri në Adler i pëlqeu shumë atij:

- Mua më habiti me të vërtetë e më mrekulloi shumë vetë fakti se ky stacion u arrit të ndërtohet vetëm për disa vjet. Përveç arkitekturës dhe lidhjes unikale midis stacioneve të vjetra e të reja, mua më impresionuan ato mundësi që u janë vënë në dispozicion njerëzve me aftësi të kufizuara (invalidëve). Sot unë mësova se në këtë stacion është parashikuar edhe një rrugë e veçantë e projektuar për njerëzit që kanë probleme me sytë (shikimin).

Kreu i KON (IOC) shprehu besimin se garat e disiplinave të sporteve dimërore do të mbahen në një nivel të lartë. Sipas fjalëve të tij, Parku Olimpik në Soçi do të lejojë që ato të hyjnë në histori, ndërsa "objektet olimpike do t’u krijojnë sportistëve kushte unike".

Putin, nga ana e tij, shprehu shpresën se Rusia do të impresionojë dhe do të kënaqë sportistët dhe mysafirët e Olimpiadës me organizimin rigoroz e të suksesshëm të evenimenteve sportive, me shfaqjet mbresëlënëse dhe programin e pasur kulturor. Ndërsa stacion i ri do të bëhet një prej simboleve më të njohura të Soçit, ai do të transmetojë frymën dhe atmosferën e qytetit të rinovuar dhe do të ndihmojë për hyrjen e emrit të tij në historinë botërore të sportit.