Për më pak se gjashtë muaj Rouhani ka rilansuar procesin e kërkimit të një rrugëzgjidhje reciprokisht të pranueshme të daljes nga qorrsokaku në të cilin ka hyrë procesi negociator. Por, me sa duket nga të gjitha, Perëndimi nuk ishte plotësisht i gatshëm për këtë. Habia e momentit të parë ia la vendin dyshimit në lidhje me sinqeritetin e Rouhani. Shumë ekspertë supozojnë se në këtë rast kemi të bëjmë me një dredhi taktike dhe se qëllimet dhe objektivat strategjike të Iranit kanë mbetur ato të mëparshme.

Temën e shtjellon më tej eksperti rus Leonid Gusjev:

- Që nga momenti i zgjedhjes së Hassan Rouhani në presidencën e Iranit nuk ka kaluar shumë kohë - vetëm dy muaj e gjysmë. Prandaj është ende herët të thuhet se imazhi i Iranit ka ndryshuar në mënyrë kardinale. Edhe pse muajt e parë të Presidentit Rouhani në pushtet kanë sjellë një frymë të re në marrëdhëniet me vendet e Perëndimit. Pas konservatorit Mahmoud Ahmadinexhad, Rouhani perceptohet si politikan i një mentaliteti krejtësisht tjetër. Ai nuk e dëshiron kurrsesi konfrontimin, ai përpiqet të gjejë kompromis.

Por në Iran ekzistojnë forca të ndryshme, të drejtimeve diverse. Ka nga ata që vërtet duan të përmirësojnë marrëdhëniet me Perëndimin. Dhe Rouhani i përket pikërisht kësaj pjese të isteblishmentit iranian. Por nga ana tjetër, ka dhe forca të tilla brenda Iranit që nuk e duan aspak këtë gjë. Shumica e këtyre forcave janë të lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike. Prandaj gjithçka varet nga ajo se si do të shkojë harmonizimi i mëtejshëm i interesave të brendshme. Por sanksionet ndërkombëtare, të cilat e fshikullojnë fort dhimbshëm ekonominë e Iranit, ka shumë gjasa ta detyrojnë udhëheqjen iraniane të pranojë bashkëpunimin real me Perëndimin.

Rouhani dëshiron të arrijë heqjen e sanksioneve dhe nxjerrjen e ekonomisë nga kriza. Ndërsa për këtë nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç se rregullimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Por problemi nuk kufizohet vetëm me pikëpamjet politike të presidentit të ri iranian. Ja se çfarë thotë orientalistja ruse Elena Melkumjan:

- Imazhi i Iranit po ndryshon. Edhe pse ky është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar. Ardhja e Hassan Rouhani në pushtet - një njeriu krejtësisht të ndryshëm nga Mahmoud Ahmadinejad - kontribuon në këto ndryshime. Por nga ana tjetër, udhëheqës real i Iranit është Ajatollahu Suprem Khamenei. Ndërsa pikërisht ai mbetet i pandryshueshëm. Prandaj për ata njerëz, të cilët e dinë fort mirë se ç’përfaqëson në vetvete Irani, ndryshimet që po ndodhin në këtë vend kanë karakter sipërfaqësor.

Për këtë është më i bindur se gjithë të tjerët Izraeli. Ai zë një pozitë krejtësisht të papajtueshme anti-iraniane, e cila përkon me atë të Arabisë Saudite. Për arsye të ndryshme këtyre dy vendeve nuk i duhen nga Irani kompromiset dhe lëshimet. Ato dëshirojnë ethshëm kolapsin e tij ekonomik, disfatën ushtarake dhe kapitullimin pa kushte. Vetëm në këtë rast izraelitët dhe sauditët do ta ndjejnë veten pak a shumë të qetë.