Kandidatja për presidencën e Gjeorgjisë, Liderja e partisë "Lëvizja Demokratike - Gjeorgjia Unike" Nino Burxhanaxe i dha një intervistë ekskluzive Radiokompanisë "Zëri i Rusisë".

Nëse Ju fitoni në zgjedhjet presidenciale, cila do të jetë politika e jashtme e Gjeorgjisë? A keni ndërmend Ju të rregulloni marrëdhëniet e prishura me Rusinë?

- Sigurisht. Për mua kjo do të jetë shumë e rëndësishme me qëllim që të kem mundësi për të forcuar sigurinë dhe pavarësinë e Gjeorgjisë, për të zgjidhur problemet ekzistuese. Marrëdhëniet e parregulluara me Rusinë janë një kërcënim real për stabilitetin dhe zhvillimin normal të shtetit. Në programin tim elektoral është theksuar në mënyrë të qartë se një nga prioritetet kryesore është vendosja e marrëdhënieve normale me Rusinë. Natyrisht, unë nuk mendoj se ne duhet ta bëjmë këtë në dëm të marrëdhënieve miqësore me vendet e tjera.

Ne do të kemi marrëdhënie të mira me Perëndimin, por do të përpiqemi gjithashtu të nxjerrim nga qorrsokaku marrëdhëniet ruso-gjeorgjiane, të thellojmë bashkëpunimin tonë në baza reciprokisht të dobishme. Unë jam realiste dhe nuk ushqej asnjë iluzion se kjo mund të bëhet shumë shpejt.

Unë jam takuar me Presidentin Vladimir Putin, ne kemi diskutuar pothuajse të gjitha problemet ekzistuese në marrëdhëniet ruso-gjeorgjiane. Nuk mund të them se mendimet tona përkojnë plotësisht, por unë pashë dëshirën e mirë për të depërtuar në pozicionin tonë dhe për të gjetur mënyrën e daljes nga udha pa krye, në të cilën ne e gjejmë veten tani. Prandaj mund të them me bindje të plotë: unë do të jem në gjendje për të zhvilluar negociata të vështira, por normale me Rusinë, dhe se ato do të çojnë në rezultate pozitive.

A është e mundur vallë gjetja e zgjidhjes paqësore të konfliktit me Abhazinë dhe Osetinë e Jugut?

- Abhazia dhe Osetia e Jugut janë çështjet më të ndjeshme, më nevralgjike, duhet thënë. Kur Patriarku ynë ishte në Rusi, ai i tha zotit Putin se Abhazia dhe Osetia janë dy plagë të hapura në trupin e Gjeorgjisë. Unë besoj se është i mundur rregullimi i marrëdhënieve, sepse ne kemi një histori vërtetë të gjatë të marrëdhënieve pozitive. Unë do të angazhohem patjetër në dialog të drejtpërdrejtë me abhazianët dhe osetinët. Duhet rivendosur medoemos besimi midis popujve tanë.

Do të ishte një gjë e mrekullueshme nëse Rusia do të pranonte të luante rolin e paqeruajtëses në zgjidhjen e këtyre konflikteve, por fjalën e fundit duhet ta thonë megjithatë gjeorgjianët, abhazianët dhe osetinët. Sepse ne duhet të negociojmë e të merremi vesh me njëri-tjetrin. Unë mendoj se edhe Abhazia, edhe Osetia e Jugut do të nisen nga interesat e popujve të vet, ndërsa Gjeorgjia duhet t’u tregojë atyre se në interes të popujve të tyre është zgjidhja e konfliktit dhe uniteti ynë. Ndërsa Rusisë ne duhet t’i tregojnë se është në interes të vetë Rusisë që të ketë marrëdhënie të mira me Gjeorgjinë unike dhe jo atë të fragmentuar e me prirje armiqësore ndaj saj.

A është e vështirë të jesh grua në politikën gjeorgjiane?

- Parimet, të cilave u përmbahem unë, e komplikojnë jetën në përgjithësi, dhe aq më tepër në politikë. Unë besoj se njeriu duhet të jenë përgjegjës për fjalët që thotë, për veprimet që bën. Duhet të jesh njeri maksimalisht i ndershëm, ndërsa kjo është e vështirë në politikë. Ndoshta kështu është edhe në jetë, por sidomos në politikë. Unë nuk jam aspak e kënaqur me metodat që përdorin politikanët gjeorgjianë meshkuj.

Me çfarë merret Nino Burxhanaxe përveç politikës?

- Tani me asgjë, sepse koha është e pamjaftueshme fizikisht për mua. Kur kam kohë të lirë me pëlqen t’i përkushtohem leximit dhe gjithmonë lexoj të paktën disa faqe para se të fle, por jo këtë një muaj e gjysmë të fundit, sepse lodhem kaq shumë sa që nuk më del koha për këtë "ritual". Unë e adhuroj teatrin dhe më merr vërtetë malli për teatrot moskovite. Jam e apasionuar pas muzikës klasike, më pëlqen të bëj ski në dimër. Unë dua lulet, qentë, nganjëherë më pëlqen të gatuaj ndonjë gjë të mirë në kuzhinë. Por, siç e kuptoni dhe vetë, për këtë më mbetet shumë pak kohë.