"Në programin tim është shkruar qartë dhe haptazi se një nga prioritetet tona është përmirësimi i marrëdhënieve me Rusinë", - deklaroi kandidatja për zgjedhjet presidenciale në Gjeorgji, Liderja e partisë "Lëvizja Demokratike - Gjeorgjia Unike" Nino Burxhanaxe në një intervistë ekskluzive me Radiokompaninë "Zërin e Rusisë".

Si i vlerësoni shanset Tuaja për fitore në zgjedhjet presidenciale? Dhe nëse do të pozicionoheni në vendin e dytë, a do të kërkoni zhvillimin e raundit të dytë të zgjedhjeve?

- Kjo do të varet nga ajo nëse zgjedhjet do të jenë të ndershme dhe transparente. Në qoftë se sot do të ekzistonte një situatë e barabartë për të gjithë kandidatët, atëhere unë do të kisha fituar që në raundin e parë. Por kur praktikisht gjithkund përdoren aktivisht burimet administrative, raundi i dytë i zgjedhjeve është i pashmangshëm, kurse në raundin e dytë do të dalim unë dhe Georgi Margvellashvili (Georgy Margvelashvily).

Raundi i dytë nuk më tremb aspak. Dhe unë nuk ia kam frikën debateve. Në website e Radiokompanisë suaj pashë të publikuar një njoftim, në të cilin thuhet se unë nuk pranoj të marr pjesë në debate. Po, kjo është e vërtetë, por duhet të shpjegoj se përse unë e refuzova këtë gjë: unë kërkoj të zhvilloj debate me kandidatin kryesor, me zotin Georgi Margvellashvili. Ndërsa mua më kanë vënë në debate me kandidatë të tjerë presidencialë, emrat e të cilëve në Gjeorgji nuk i njohin fare. Kjo do të ishte një parodi e debatit, kurse debate të tilla unë i refuzoj apriori. Jam e gatshme për të debatuar me z. Margvellashvili në çdo lloj formati, por ai i druhet shumë kësaj gjëje, sepse debatimi me mua nuk është punë aspak e thjeshtë.

Keni deklaruar se pasi të vini në pushtet Ju keni ndërmend ta nxirrni përpara gjyqit Presidentin aktual Mihaill Saakashvili (Mikhail Saakashvili).

- Unë kam paraqitur kandidaturën time për postin e presidentit dhe jo për atë të prokurorit të përgjithshëm. Unë do të krijoj të gjitha kushtet me qëllim që në Gjeorgji të zhvillohen hetime objektive të të gjitha krimeve të kryera gjatë kohës së drejtimit të Lëvizjes Kombëtare. Unë jam mëse e bindur se hetimi objektiv dhe gjykimi objektiv i atyre krimeve që kanë ndodhur në vend, duke përfshirë edhe ato të gushtit të vitit 2008, do ta sjellin Saakashvilin në bankën e të akuzuarve.

Në fillim të "Revolucionit Rozë" shumëkujt i dukej se Ju me Saakashvilin ishit një ekip unik. Çfarë gabimesh janë bërë gjatë presidencës së tij?

- Çdo person në pushtet mund të bëjë gabime, askush nuk është i imunizuar nga kjo. Por unë jam duke folur tani rreth krimeve - për krimet e vitit 2008, vrasje të profilit të lartë, të cilat nuk janë hetuar deri tani, për dhjetëra e mijëra të dënuar padrejtësisht, për dhjetëra mijëra njerëz të cilëve u kanë marrë ilegalisht pronën, pasurinë, për torturat dhe përdhunimet në burgje. Këto nuk janë gabime dhe për këto krime njerëzit duhet të paguajnë.

Nëse në Gjeorgji nuk do t’i jepet fund njëherë e mirë punës me sindromën e "pandëshkueshmërisë", ne do të vazhdojmë të rrotullohemi në rrethin vicioz, brenda të cilit ndodhemi në këto 20 vitet e fundit. Vjen qeveria e re, bën premtime, dhe përsëri vazhdon rishpërndarja e pjesëve në biznes, pastrimi i parave të pista. Të gjitha këto s’do të përfundojnë kurrë në qoftë se Gjeorgjia nuk do të marrë rrugën e kombeve të qytetëruara, ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit - presidenti, kryeministri, kryetari i parlamentit, shefi i policisë apo qytetari i zakonshëm. Kjo do të na japë mundësi për ta zhvilluar normalisht vendin. Dhe unë do të angazhohem për zbatimin e një formule të thjeshtë: Drejtësi dhe prosperitet për vendin tim.