Në përgjigje të këtij kërcënimi nacionalistët ukrainas deklaruan se Partia hungareze "Jobbik" ndihmon shërbimet ruse të sigurisë për t’i vënë shkopinj nën rrota Ukrainës në rrugën e saj drejt Evropës.

Skandali shpërtheu pas deklaratës së bërë nga eurodeputeti hungarez Kovács Béla. Ai rikujtoi se Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit BE-Ukrainë pas nënshkrimit do të duhet të ratifikohet nga parlamentet e të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Dhe në qoftë se Kievi dëshiron që në Parlamentin hungarez të mos lindin probleme me këtë, ai do të jetë i detyruar të përmbushë një kusht: të krijojë për hungarezët që jetojnë në rajonin e përtej Karpateve qarkun autonom. Kërcënimi i Kovács Béla tingëlloi krejtësisht papritur, komenton analisti politik rus Vsevollod Vesellov:

- Çështja e autonomisë hungareze është ngritur që në fillim të viteve 1990. Por kohët e fundit minoriteti hungarez në Ukrainë nuk e ndjen veten të izoluar. Në veçanti, në sajë të politikës së vetë Hungarisë e cila i jep në mënyrë aktive shtetësinë hungarezëve etnikë që jetojnë në territorin e zonës së përtej Karpateve (Transcarpathia). Domethënë shumë banorë të rajonit Beregovskij kanë marrë aktualisht dyshtetësinë, edhe pse në Ukrainë është e ndaluar një gjë e tillë. Përveç kësaj, Hungaria financon gjithashtu mjaft aktivisht Qendrën kulturore dhe arsimore në rajonin Beregovskij.

Në mënyrë më të rreptë iu përgjigjën deklaratës së eurodeputetit hungarez Kovács Béla nacionalistët e Ukrainës. Partia ukrainase "Liria" lëshoi ​​një deklaratë në të cilën thuhej se "Jobbik" ndihmon shërbimet ruse të sigurisë për të vënë pengesa në rrugën e Ukrainës drejt Evropës". Ndërsa deputeti Anatoli Vitiv, i cili përfaqëson partinë "Liria" në Verhovna Rada (parlamenti i Ukrainës), shkoi akoma dhe më larg - ai bëri thirrje për ndalimin total të aktivitetit të partisë "Jobbik" në Ukrainë.

Por, pavarësisht autoritetit politik që gëzon në vetë Hungari, "Jobbik" nuk ka gjasa të bllokojë realisht projektin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit BE-Ukrainë, thotë analisti politik rus Leonid Gusjev:

- Partia e krahut të djathtë "Jobbik" ka më shumë se 10% të vendeve në parlamentin hungarez. Dhe unë mendoj se këto kërcënime janë menduar prej saj thjesht për të tërhequr vëmendjen ndaj vetes gjatë zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Ia vlen të shtohet se marrëdhëniet e nacionalistëve hungarezë dhe atyre ukrainas nuk kanë qenë gjithmonë të tendosura. Në të kundërt, jo shumë kohë më parë partitë "Jobbik" dhe "Liria" kanë qenë anëtare të të njëjtit klub ndërkombëtar, i cili quhet Aleanca e lëvizjeve kombëtare evropiane. Por madje edhe për standardet e kësaj strukture retorika e anëtarëve të partisë "Liria" doli si tepër radikale. Si rezultat i kësaj, nacionalistët ukrainas i dëbuan nga Aleanca për deklaratat anti-semite të liderëve të tyre partiakë.