Ndërkohë pasioni dhe përkushtimi i plotë i Asijallovës ndaj Islamit radikal doli një e papritur shokuese madje edhe për nënën e saj. Për këtë ajo tregoi vetë në një intervistën me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë".

Sipas fjalëve të Ravzatit - nënës së Naida Asijallova - që në fëmijëri ajo ishte një vajzë mjaft e mbyllur në vetëvete. Pas shkollës tetëvjeçare Naida ndoqi shkollën e mesme trevjeçare kulturologjike në Mahaçkalla (Makhachkala) dhe me ta mbaruar atë shkoi për të punuar në Moskë. Nga kryeqyteti rus ajo ngandonjëherë telefononte në shtëpi. Në Moskë Naida u martua me një qytetar turk. Por kur filloi kriza ai u kthye në atdhe, kurse Naida mbeti në Rusi. Pyetjeve të nënës rreth asaj se si është ndërtuar dhe shkon jeta e saj, kamikazja e ardhshme i përgjigjej me fraza të shkurtra e të prera, pa dhënë kurrfarë detajesh. Ndërsa pas njëfarë kohe ajo i njoftoi të afërmit se u martua sërish - kësaj herë me një rus që ka pranuar Islamin. Por Naida nuk denjoi ta njohë nënën me bashkëshortin e saj të ri. Ndërkohë, jeta e Naidas në atë kohë kishte ndryshuar në mënyrë radikale, thotë nëna e saj:

- Tek ne në shtëpi femrat nuk e veshin hixhabin, mua nuk më pëlqen hixhabi. Kurse ajo më thotë: "Unë e mbaj hixhabin". Dhe unë gjithmonë i bëja fjalë - përse të duhet ty kjo gjë. "Unë gjithë kohës lutem - më thoshte ajo - i kam lënë të gjitha dhe vetëm lutem". Kurse unë as që e dija se si lutet ajo. E nga ta dija se ajo bën të tilla gjëra. Ne në shtëpinë tonë nuk kemi adet asnjë të këtij lloji. Unë nuk kam vetëm atë. Përveç Naidës kam edhe dy vajza të tjera, të dyja ato janë të martuara dhe kanë krijuar familjet e veta. Por ato janë krejtësisht ndryshe nga ajo. Pse u rrit ajo e tillë, nuk e di.

Sipas fjalëve të Roza Maçajeva - njeriut që e njeh fort mirë familjen e Naida Asijallova-s - Ravzati është një grua e ndershme dhe shumë punëtore. Ndërsa vetë Naida nuk ishte ndonjë nxënëse që shquhej për suksese në shkollë. Pavarësisht nga kjo, asaj i pëlqente të vishej mirë, sipas modës. Fakti, që në fund të fundit Naida u bë terroriste-kamikaze, është turp i madh për tërë rajonin, tha Roza Maçajeva.

Me faktin, se krimi i kryer nga Naida Asijallova ka njollosur gjithë rajonin Gunibskij, pajtohet plotësisht edhe Kreu i kësaj njësie administrative të Dagestanit, Pahrudin Magomedov:

- Unë do të doja personalisht, nga ana ime, dhe në emër të të gjithë banorëve të rajonit Gunibskij t’i shprehja ngushëllimet e thella dhe të sinqerta familjeve të viktimave, të gjithë atyre që u lënduan nga ky akt i tmerrshëm, monstruoz terrorist. Si reaguan ndaj kësaj ngjarje në Gunibë, pyesni ju, natyrisht me dhimbje të madhe.

Sulmi terrorist në autobusin urban në qytetin Vollgograd ndodhi të hënën, më 21 tetor. Fuqia e pajisjes shpërthyese ishte ekuivalente me detonimin e rreth 600 gram tritoli (TNT). Në të njëjtën kohë bomba ishte e mbushur me elemente metalike të destinuara për të rritur forcën e saj goditëse. Si rezultat i shpërthimit gjetën vdekjen 6 vetë dhe 40 të tjerë u plagosën. Në vendngjarje janë gjetur dokumentet e identifikimit të Naida Asijallovës, e cila ka qenë prej kohësh e njohur për lidhjet e saj me ekstremistët. Presupozohet se mjeti shpërthyes është bërë në mënyrë artizanale nga personi me të cilin bashkëjetonte Asijallova - Dimitri Sokollov - i njohur në qarqet vahabiste me emrin Abdullzhabar.