Por a do të mund t’i bëjnë vallë realitet ato kandidatët aktualë, shumë prej të cilëve janë demarkuar haptazi tani nga Mihaill Saakashvili (Mikhail Saakashvili), megjithëse në të kaluarën kanë bashkëpunuar mjaft ngushtë me të?

Saakashvili, i cili po përjeton tani periudhën e fundit të jetës politike, ka humbur ndikimin e vet në Gjeorgji që një vit më parë, kur në parlament erdhi opozita "Endrra gjeorgjiane" dhe Kryeministër u bë miliarderi Bidzina Ivanishvili. Pasi realizoi një sërë reformash dhe shkëlqeu me bujarinë e vet, Ivanishvili deklaroi se pas zgjedhjeve ai do të largohet nga posti i kryeministrit. Krijesë e tij në zgjedhjet në vend u bë ish-Ministri i Arsimit, Georgi Margvellashvili (George Margvelashvily). Tani ai është një nga kandidatët më të preferuar në zgjedhjet të pritshme. Në tetor rejtingu i Georgi Margvellashvilit, sipas të dhënave të Agjencisë amerikane Greenberg, Quinlan, Rosner Research, rezultoi të ishte 43 %. Në vendin e dytë renditet David Bakradze, një ish shok idesh i Mihaill Saakashvilit, me 22%. Në vendin e tretë është pozicionuar politikania më me përvojë Nino Burxhanaxe, e cila e distancoi veten nga Saakashvili para gjithë të tjerëve - që në vitin 2008. Rejtingu i saj vlerësohet me 7 %. Megjithatë vetë Nino Burxhanaxe është mëse e bindur se do të fitojë në raundin e dytë të zgjedhjeve. Rejtingun e lartë të konkurrentëve të vet ajo e shpjegon me shumat e mëdha të parave të derdhura në fushatën paraelektorale dhe shfrytëzimin e burimeve administrative.

- Nëse unë do të isha në të njëjtën situatë si kandidatët nga autoritetet pushtetore - Margvellashvili dhe Bakradze - do të kisha fituar që në raundin e parë të zgjedhjeve. Por unë jam e sigurt se do të ketë një raund të dytë dhe në të do të dalim unë dhe Margvellashvili. Bakradze nuk ka asnjë shans për të zënë vendin e dytë, edhe pse disa nga përfaqësuesit e Perëndimit e duan shumë këtë gjë. Por në realitet rejtingu i Bakradze nuk është më shumë se 12%.

Burxhanaxe udhëton shumë nëpër vend duke u premtuar gjeorgjianëve për ta nxjerrë përpara gjyqit Saakashvilin. Por jo vetëm me këtë i tërheq, i bën për vete njerëzit Nino Burxhanaxe. Shumë në Gjeorgji lidhin me të shpresën për rivendosjen e marrëdhënieve normale me Rusinë. Arsye për këtë vërtetë nuk ka shumë, edhe pse ndryshe nga kandidatët e tjerë Burxhanaxe është takuar disa herë me Presidentin Vladimir Putin.

Zhvillimi i marrëdhënieve me Rusinë mbetet një çështje mjaft e ndjeshme, madje nevralgjike për shoqërinë e Gjeorgjisë dhe, veçanërisht, për politikanët gjeorgjianë. Sipas fjalëve të analistit politik rus Azhdar Kurtov, kandidatët, edhe pse kryesisht kanë si pikësynim bashkëpunimin me Rusinë, preferojnë t’i zbusin, t’i sfumojnë thëniet e tyre. Ato gjëra që thuhen në mesore e korridore nuk shprehen prej tyre në fjalimet që mbahen përpara votuesve:

- Sigurisht, asnjëri prej tyre nuk merr guximin të ngrejë në mënyrë të drejtpërdrejtë çështjen e njohjes së atyre gabimeve që janë bërë jo vetëm nga autoritetet pushtetore të vendit, por edhe nga shoqëria në gusht të vitit 2008 - fjalë bëhet për agresionin e Gjeorgjisë kundër Osetisë së Jugut dhe paqeruajtësve rusë. Pasi tepër i sëmurë, i dhimbshëm ishte reagimi i shoqërisë së Gjeorgjisë ndaj disfatës së plotë të ushtrisë gjeorgjiane. Por është megjithatë inkurajues vetë fakti se propagandë të egër anti-ruse tashmë nuk ka më.

Saakashvili do të largohet nga presidenca. Kjo është e qartë. I gjithë problemi konsiston në vetë faktin nëse do të ndryshojë apo jo elita. Pasi edhe nga përbërja, edhe nga metodat e zhvillimit të luftës elektorale tablloja paraqitet e njëjtë.