Shtrirja e rrjetit të spiunazhit elektronik është me të vërtetë tejet impresionuese - sipas njoftimeve të gazetës, e cila i referohet materialeve të dorëzuara asaj nga ish-bashkëpunëtori i NSA-së Edward Snowden, që nga 10 dhjetori i vitit 2012 e deri më 8 janar të këtij viti shërbimet e inteligjencës amerikane kanë përgjuar më shumë se 70 milionë biseda telefonike të qytetarëve francezë. Janë survejuar prej tyre jo vetëm terroristët potencialë, por edhe përfaqësuesit e autoriteteve pushtetore dhe qarqeve të biznesit të Francës. Siç theksoi në intervistën e vet me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" eksperti rus për sferën e inteligjencës industriale (konkurruese) Eugjeni Jushjuk, NSA-ja mund të ketë ndarë lehtësisht një pjesë të informatave të përftuara me anë të përgjimeve me përfaqësuesit e biznesit amerikan:

- Në SHBA shkëmbimi i informacionit midis shërbimeve të zbulimit dhe biznesit e merr zanafillën e vet që nga koha kur satelitët spiunë transmetonin informacionin në lidhje me atë se si po piqen drithërat në tokat e mbjella me të lashta në mbarë botën, duke përfshirë edhe ato të Bashkimit Sovjetik. Në informacionin e marrë prej NSA-së ka shumë të dhëna tejet të vlefshme nga pikëpamja komerciale, të cilat mund t’i shërbejnë për mrekulli rritjes së konkurrueshmërisë të SHBA-së në fushën ekonomike dhe politike.

Demaskimi dhe publikimi i radhës i aktiviteteve të spiunazhit të shërbimit të zbulimit amerikan, sigurisht, do të përkeqësojë dialogun e Parisit dhe Uashingtonit, por ftohje afatgjatë në marrëdhëniet e tyre nuk duhet të pritet megjithatë. Avantazhi në peshën politike do t’i lejojë edhe kësaj here Amerikës "të dalë pa lagur", mendon Kryetari i Institutit për Zhvillimin e Lirisë së Informacionit, Ivan Pavllov:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një vend i vetëmjaftueshëm, që sillet mjaft rreptë në arenën ndërkombëtare dhe ndjek në mënyrë konsekuente një politikë që synon të garantojë sigurinë vetiake, dhe askush nuk duhet të presë kurrfarë favoresh prej tij.

Ndërkohë është paraqitur një version shumë interesant i shkaqeve të publikimit të informacionit të klasifikuar: "armiku №1 i kombit amerikan" Snowden Edward mund të jetë bërë një gur shahu në lojën e pistë të klaneve bankare të Amerikës, tregoi Eugjeni Jushjuk:

- Rrjedhja e informacionit në lidhje me këtë veprimtari spiunazhi fshikullon me kamzhik strukturat ushtarake, ndërsa bankat nga kjo kanë vetëm përfitim. Prandaj, në përgjithësi, për këtë arsye Shtetet e Bashkuara si komb, si vend anëtar i procesit ndërkombëtar do të humbasin pikë, kurse CIA, NSA-ja dhe FBI do ta kenë më të vështirë për të punuar. Por bankierët, të cilët synojnë, kërkojnë me këmbëngulje të kufizojnë kompetencat dhe pushtetin e strukturave ushtarake nga kjo vetëm do të përfitojnë, sepse sa më të dobëta të jenë forcat e sigurisë dhe sa më të preokupuara me zgjidhjen e problemeve të tyre, aq më e leverdisshme është kjo për biznesin.

Por edhe nëse është në të vërtetë kështu, duhet thënë, se rezonanca globale e ka prekur, lënduar fort sedrën e sëmurë të shërbimeve amerikane të inteligjencës. Duke mos u shquar kurrë për ndonjë qëndrim fisnik ndaj qytetarëve të vet dhe të huaj, ato me siguri do të hakmerren.