Ndërkohë është shpallur data e re e mundur e mbajtjes së konferencës ndërkombëtare "Gjeneva-2". Kurse amerikanët iu rikthyen sërish temës së ligjshmërisë së Bashar Al-Assadit.

Ministria norvegjeze e Punëve të Jashtme konfirmoi se OKB-ja, SHBA-ja dhe Rusia i janë adresuar Mbretërisë me kërkesën për të pranuar në territorin e saj për asgjësim të mëtejshëm të 500 ton gaz Sarin dhe 50 ton gaz Iprit (Mustard gas) nga Siria. Sipas fjalëve të përfaqësuesit të Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë, Oslo gjithmonë i përgjigjet me gatishmëri kërkesave të adresuara atij nga Kombet e Bashkuara dhe do ta marrë seriozisht në shqyrtim kërkesën aktuale. Edhe pse përvojë të shkatërrimit të armëve kimike Norvegjia nuk ka, ekspertët nga Instituti norvegjez për Studime në sferën e Mbrojtjes dhe Organizata për mjedisin "Bellona" e konsiderojnë projektin në tërësi të realizueshëm.

Duam të vemë në dukje se në Siri tashmë është shkatërruar gjysma e pajisjeve disponuese për prodhimin e substancave kimike luftarake. Ekspertët nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike janë mëse të bindur se likuidimi i plotë i arsenalit të armës kimike siriane do të arrihet të bëhet me përpikëri në kohën e përcaktuar - në mesin e vitit të ardhshëm.

Në të njëjtën kohë po vazhdon procesi i zgjidhjes politike të konfliktit gati dy vjeçar sirian. Është bërë publike data tjetër tentativë për thirrjen e konferencës ndërkombëtare në Gjenevë. Konferenca "Gjeneva-2" mund të mbahet në fund të nëntorit. Mbi domosdoshmërinë e zhvillimit të saj ka filluar të flitet që nga maji, por koha e mbajtjes është shtyrë në mënyrë të përsëritur. I gjithë problemi konsiston në qëndrimin e papajtueshëm të opozitës siriane. Detyra për të bindur të gjitha grupet opozitare siriane që të marrin pjesë në bisedimet e paqes iu ngarkua Shteteve të Bashkuara. Rusia mori mbi vete obligimin për të bindur Damaskun zyrtar që të angazhohet në këto negociata dhe ia doli mbanë punës me plotësimin e kësaj detyre. Pavarësisht vonesave e zvarrisjeve aktuale, në Moskë shpresojnë se konferenca do të zhvillohet megjithatë dhe se do të sjellë përfitime praktike.

Ndërkohë mediat ndërkombëtare po diskutojnë aktivisht intervistën që Presidenti sirian Bashar Al-Assad i dha të hënën kanalit televiziv libanez "Al-Mayadin". Në bisedën e zhvilluar me gazetarët ai nuk përjashtoi mundësinë e pjesëmarrjes së vet në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014 dhe deklaroi se nuk sheh pengesa për këtë. Reagimi i Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, ndaj intervistës në fjalë ishte i menjëhershëm. Kreu i Dikasterit amerikan të Punëve të Jashtme beson se rizgjedhja e Presidentit aktual të Sirisë Bashar Al-Assad në postin e kryetarit të shtetit do të zgjasë luftën në vend. Megjithatë, ekspertët vënë në dukje se ngjarjet e fundit në Siri dëshmojnë në favor të presidentit në detyrë: në dritën aktivizimit të ndjeshëm të militantëve, ndër të tjera edhe islamikëve radikalë, iniciativa strategjike vazhdon të mbetet në anën e trupave qeveritare, besnike të Assadit. Ndikim pozitiv në imazhin e Presidentit sirian ushtroi edhe fillimi i procesit të shkatërrimit të arsenalit të armëve kimike.