Duke filluar që nga dita e sotme në Vollgograd janë shpallur tri ditë zie për viktimat. Lëvizja e automjeteve në rrugën, ku ndodhi tragjedia, është kufizuar pjesërisht. Në vendin e shpërthimit po punojnë ekspertë, kriminologë dhe hetues.

Më 21 tetor në orën 14:05 në sallonin e një autobusi, 50 metra nga stacioni, detonoi një bombë. Sipas të dhënave të fundit 6 persona humbën jetën, ndërsa 37 u plagosën, 8 prej të cilëve janë në reanimacion. Katër të plagosur u sollën sot në mëngjes në Moskë me një avion special të Ministrisë ruse të Situatave të Jashtëzakonshme.

Në Vollgograd hetuesit kanë marrë në pyetje më shumë se 50 dëshmitarë okularë të sulmit terrorist. Tani ekspertët po kryejnë ekspertizën mjeko-ligjore dhe ekzaminimin e shpërthimit. Në vendngjarje po punojnë edhe njësi të FSB-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, njoftoi Zëdhënësi i Qendrës së Informacionit të Komitetit Kombëtar Anti-Terrorizëm, Dimitri Pavllov:

- Selia operacionale po koordinon punën e shërbimeve të reagimit të shpejtë, të sigurisë dhe forcave të zbatimit të ligjit për të parandaluar shpërthime të tjera të mundshme. Aktualisht të plagosurit janë dërguar në spitale të ndryshme të qytetit. Atyre po u afrohet i gjithë përkujdesi i nevojshëm mjekësor dhe psikologjik. Vendngjarja po ekzaminohet nga ekspertët e lëndëve eksplozive të Shërbimit të Sigurimit Federal (FSB). Atje po punon edhe një ekip hetuesish.

Sipas informacionit të marrë nga Komiteti Hetimor, terroristja-kamikaze është identifikuar paraprakisht - ajo doli të jetë banorja e fshatit Gunib në Dagestan, Naida Asijallova. Në vendngjarje u gjetën pasaporta e saj dhe bileta "Mahaçkalla-Moskë". Bashkëfshatarët e terroristes konfirmojnë se dhjetë vjet më parë ajo shkoi për të punuar në Moskë dhe që atëherë marrëdhëniet me të i kishin shkëputur.

Sipas versionit të hetuesve, bomba mund të jetë përgatitur në mënyrë artizanale nga bashkëshorti i terroristes-kamikaze, Dimitri Sokollov, i cili ka organizuar dy sulme terroriste në Mahaçkalla, të cilët morrën jetën e 40 personave. Disa vjet më parë djaloshi u konvertua në mysliman, mori emrin Abdul Xhabar dhe iu bashkua bandave ilegale në Dagestan. Tani ai është në listën federale të personave të shpallur në kërkim. Pas shpërthimit është hapur çështja penale në bazë të tre neneve të Kodit Penal rus - "Sulm terrorist", "Vrasje e dy ose më shumë personave" dhe "Trafikim i paligjshëm i armëve dhe eksplozivëve".