"Në kujtim të rënies së vendit tim të dashur nga duart e forcave të NATO-s që mbollën në të përçarje, kaos dhe konfuzion në mesin e banorëve. Unë gjithashtu ia kushtoj këtë letër kujtimit të ndritur të burrit tim - dëshmorit, heroit Muammar Gaddafi dhe djalit tim të dashur Asad Al-Zhusur, si dhe atyre, të cilët ishin me ta ditën e 20 tetorit të vitit 2011, kur forcat ajrore të NATO-s sulmuan autokolonën e kryetarit të shtetit dhe pastaj ua dorëzuan trupat e tyre të plagosur kriminelëve, të cilët i vranë më pas ata në mënyrë krejtësisht barbare.

Aktet e këtyre monstruoziteteve nuk janë në përputhje me asnjë nga fetë apo besimet ekzistuese. Përveç këtij krimi ata kryen edhe një tjetër - edhe sot e kësaj dite ata vazhdojnë të mbajnë trupat e dëshmorëve të flijuar, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në historinë e njerëzimit.

Unë kërkoj që të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Bashkimi Europian dhe të gjithë ata që morrën pjesë në vrasjen e këtyre martirëve, dhe që ishin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë përgjegjës për këtë krim të tmerrshëm, të zbulojnë më në fund vendin e varrimit të trupave të tyre dhe t'ua dorëzojnë të afërmve që ata të mund t'i varrosin me dinjitet.

Unë i kërkoj gjithashtu Bashkimit Afrikan të nisë hetimin më të hollësishëm të vrasjes së themeluesit të kësaj organizate, heroit Muammar Gaddafi dhe të gjithë atyre që u vranë atë ditë së bashku me të.

U kërkoj të gjitha organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të më ndihmojnë mua të vendos kontakte me djalin tim, Seif Al-Islam, i cili është izoluar nga të gjithë anëtarët e familjes sonë që nga momenti i arrestimit të tij, duke pasur parasysh faktin se ai është i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura kundër tij. Ndoshta krimi i tij i vetëm është se ai e pat paralajmëruar popullin libian se do të përballej me tmerret që Libia po përjeton sot e kësaj dite.

Saif Al-Islam ka qenë gjithmonë i preokupuar dhe i angazhuar me problemin e të drejtave të njeriut në vend. Ai ka liruar nga burgjet amerikane dhe europiane islamistët radikalë dhe është marrë me problemin e adaptimit të tyre në jetën normale. Disa prej tyre i dhanë atij premtimin lidhur me synimet e veta të mira në jetë, por tani ata gjithashtu kërkojnë që ai t'u dorëzohet atyre për ekzekutim.

Në përkujtim të përvjetorit të dytë të vdekjes së bashkëshortit, djalit tim dhe shoqëruesve të tyre, unë shpresoj se zëri im do të dëgjohet nga komuniteti botëror, si zëri i gruas dhe nënës së dëbuar nga vendi".