Me nënshkrimin e Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike, Damasku ndërmori përsipër shkatërrimin e tyre nën mbikëqyrjen e inspektorëve ndërkombëtarë. Për 2 javë janë likujduar rreth gjysma e bombave dhe mbushjeve raketore të destinuara për mbushjen e substancave toksike. Edhe dy javë të tjera - dhe kjo fazë e punës do të përfundojë. Por çfarë duhet bërë me substancat helmuese, deri më tani askush nuk ka menduar, vë në dukje politologu Andrei Baklickij:

- Më herët në kuadër të Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike këto të fundi janë shkatërruar gjithmonë plotësisht në territorin e vendit ku janë vendosur. Rusia kështu vepron, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Libia, Shqipëria. Nga ana tjetër, ne e kuptojmë shumë mirë se në Siri po zhvillohet luftë civile. Dhe shkatërrimi i armëve kimike, është i dëshirueshëm të zhvillohet atje ku nuk ka luftime.

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, të shtunën që sapo kaloi nënshkruan një marrëveshje kornizë, sipas të cilës materialet dhe komponentet e armëve kimike siriane duhet të shkatërrohen "jashtë kufijve të Sirisë, nëse kjo është e mundur". Damasku ra dakord për eksportimin e një pjesë të arsenaleve të veta jashtë vendit. Mbetet vetëm për të gjetur vendin, i cili do të bjerë dakord të marrë armët kimike siriane. Deri më tani nuk ka asnjë vend të tillë. SHBA-ja u përpoq të bindë fqinjët e Sirisë - Turqinë dhe Jordaninë. Por në këto vende edhe pa këtë tashmë kanë lindur shumë probleme për shkak të fluksit të refugjatëve sirianë. Sfida të reja atyre nuk ju nevojiten. Vendet evropiane, në radhë të parë Shqipëria, Belgjika, Norvegjia dhe Franca, të cilave ju është drejtuar SHBA-ja, nuk japin një përgjigje pozitive. Rusia do të ishte e lumtur të ndihmonte, por nuk ka mundësi, shprehet anëtari i Këshillit Publik të Kryetarit të Komisionit Industrialo-Ushtarak të Rusisë, Viktor Murahovskij:

- Në Rusi thjesht në bazë të ligjit nuk mund të importohen substanca toksike. Përveç kësaj, ne nuk kemi përfunduar ende procesin e shkatërrimit të substancave tona helmuese. Ne kemi ende disa mijë ton për të shkatërruar. Ato ndodhen në vende të caktuara, nuk transportohen gjëkundi, shkatërrohen në vend.