Në Kamçatkë aktualisht është aktiv vullkani Kluçevskoj. Një shtyllë hiri me një lartësi prej 10 kilometrash mbi nivelin e detit është emetuar nga krateri i këtij vullkani, i cili është më i larti dhe më aktivi në Euroazi. Retë e hirit kanë arritur një shtrirje prej 250 kilometrash. Është hera e tretë që nga fillimi i muajit që vullkani Kluçevskoj emeton hi, por emetimi i hirit nuk përbën asnjë rrezik për njerëzit, siguroi në një intervistë për "Zërin e Rusisë" Drejtori i Institutit rus të Vullkanologjisë dhe Gjeodinamikës Henry Steinberg:

- Vullkani Kluçevskoj nuk përbën kërcënim të drejpërdrejtë për qendrat e banuara. Fshati më i afërt me të ndodhet 30 kilometra nga rrëza e vullkanit. Kjo nuk përbën rrezik. Ndryshe paraqitet situata kur flitet për aviacionin. Sigurisht që avionët, të cilët fluturojnë drejt Alaskës, Japonisë, Azisë Juglindore, duhet të anashkalojnë retë e hirit.

Ndërkohë, për shkak të tajfunit "Wipha" që iu afrua Kamçatkës, duke avancuar nga territori i Japonisë, janë anuluar fluturimet e pasagjerëve. Tajfuni pasi goditi rëndë Japoninë, mbërriti në jug të gadishullit. Atje është shpallur alarmi i stuhisë. Në ujërat e Detit Ohotsk dhe Oqeanit Paqësor që lagin gadishullin, pritet formimi i një uragani. Në disa zona dallgët mund të arrijnë lartësinë e një shtëpie 4-katëshe (gati 12 metra).

Në Japoni ndërkohë po vlerësohen dëmet dhe po numërohen personat e shpallur të zhdukur pa lënë gjurmë. Në pjesën qendrore të Japonisë për shkak të shfrenimit të fatkeqësisë natyrore humbën jetën 17 persona. Në centralin bërthamor "Fukushima -1" u regjistrua një nivel i lartë i rrezatimit në ujin që ndodhet në tunelin e drenazhimit. Tuneli e dërgon këtë masë uji në oqean, por këto ujëra nuk përbëjnë rrezik për Kamçatkën, siguroi eksperti Vladimir Kovbasjuk:

- Kjo nuk do të ketë asnjë ndikim mbi Kamçatkën për shkak të vetive të rrymave oqeanike. Së pari, rrymat detare do t’i dërgojnë ujërat radioaktive në bregun lindor të Amerikës, dhe vetëm atëherë, pasi të përzihen, ato mund të kthehen sërish në brigjet e Rusisë. Aktualisht ne po kryejmë monitorimin e rrezatimit. Ne nuk kemi vënë re asnjë rritje të normave të lejuara të rrezatimit.

Rrjedhja më e madhe e rrezatimit në "Fukushima -1" konsiderohet rrjedhja e ujit të kontaminuar në gusht të këtij viti. Asokohe në ujërat përreth u derdhën 300 ton ujë i ndotur. Uji me përmbajtje radioaktive depërtoi përmes plasaritjeve që u formuan si rezultat i korrozionit. Tashmë atje planifikohet të vendosen rezervuare të reja tokësore me shtresë metalike në pjesën e poshtme. Sipas mendimit të ekspertëve, kjo do të ndihmojë për të zgjidhur problemin e rrjedhjeve periodike të ujit radioaktiv.