Inspektorët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK) tani po verifikojnë të dhënat mbi kompleksin kimiko-ushtarak në Siri. Informacionin në lidhje me të Damasku e ka paraqitur me kërkesën e OKB-së. Tashmë është bërë e ditur se një pjesë e armës kimike ndodhet në formën e komponenteve që mund të asgjësohen në vend. Për këtë qëllim mund të përdoren, për shembull, instalime apo pajisje të transportueshme (të lëvizshme) që zotërohen nga një sërë vendesh perëndimore. Por ka edhe opsione të tjera, konfirmon me bindje eksperti rus Vladimir Jevsejev:

- Varianti i parë - të largohet nga Siria i gjithë arsenali i armës kimike, por kjo kërkon negociata të veçanta. Varianti i dytë - varrosja përkohësisht e tij. Kjo nënkupton, për shembull, shkarkimin e arsenalit të armës kimike në ndonjë galeri miniere, mbulimin e saj me një shtresë të trashë betoni dhe kufizimin e aksesit atje.

Vladimir Jevsejev mendon se nxjerrja e arsenalit të armës kimike jashtë kufijve të Sirisë, që po diskutohet aktualisht, është një proces mjaft i komplikuar. Ushtria siriane nuk kontrollon autostradat kryesore të vendit. Ndërsa për transportimin e një ngarkese të tillë kaq të rrezikshme duhet të organizohet shoqërimi dhe mbrojtja e saj në terren dhe nga ajri.

Sipas njoftimeve të mediave ruse, me kërkimin e vendeve të gatshme për të pranuar dhe shkatërruar armën kimike siriane janë angazhuar tani në Shtetet e Bashkuara. Fqinjët e Sirisë - Turqia dhe Jordania - nuk shprehen të gatshme për të marrë pjesë në këtë projekt. Aktualisht po shqyrtohen dy opsionet e tjera, por ato nuk janë bërë publike.

Vladimir Jevsejev nuk përjashton mundësinë e asaj, se në fund të fundit me asgjësimin e armës kimike siriane do të merret Rusia:

- Nëse Rusia do të insistojë fort se nuk do ta marrë armën kimike siriane për asgjësim, atëhere transportimi i saj nga Siria thjesht s’ka ku të bëhet më. Unë nuk besoj se ajo mund të nxirret nga vendi për shkatërrim diku gjetkë. Krijimi i ndërmarrjes për shkatërrimin e arsenalit të armës kimike kushton disa miliarda dollarë. Këtë punë nuk do ta marrë përsipër askush. Ndërsa në territorin e Rusisë ekzistojnë dy kompani të tilla.

Sipas mendimit të ekspertit, SHBA-ja do të insistojë për nxjerrjen e detyrueshme të arsenalit të armëve kimike jashtë kufijve të Sirisë. Nëse asnjë vend nuk do të bjerë dakort për ta pranuar atë, atëhere situata mund të kthehet në variantin e vënies në jetë të skenarit ushtarak për zgjidhjen e krizës siriane. Në këto kushte konservimi i armës kimike në territorin e Sirisë mund të jetë e vetmja alternativë e pranueshme.