Është supozuar se pjesa më e madhe e bolidit jashtëtokësor ra në ujërat e liqenit të ndodhur jo larg qytetit të Çebarkul.

Fragmenti peshon më shumë se 500 kg dhe u gjet ai në momentin kur, siç dukej, i humbën krejtësisht shpresat, u deziluzionuan të gjithë. Në ditët e fundit moti filloi të ftohet shumë, nisën problemet me disfunksionimin e aparateve dhe teknikës, digjeshin motorët e motoskafëve. Por, pavarësisht nga të gjitha këto, kërkimet vazhdonin, polumbarët zhyteshin thellë e më thellë në ujërat e liqenit derisa arritën në fundin e tij, tregoi Zëdhënësja e Ministrisë për rrezatimin dhe sigurinë mjedisore të Çeljabinskut, Marina Aleksandrova:

- Puna për gjetjen e fragmenteve të meteoritit u zhvillua në zonën e të çarës (vrimës) së madhe në akull, e cila u formua në vendin e rënies së tij. U përvijua një rreth imagjinar, brenda të cilit dhe u zhvillua operacioni. Pas skanimit të fundit të liqenit pajisjet treguan praninë e një objekti të madh atje. Zhytësit e komisionuar nga ministria jonë ia hynë me zell punës së tyre. Ata u zhytën deri në thellësinë mbi 20 metra dhe atje në shtresën e trashë të lymit (llomit) u zbulua më në fund fragmenti i sipërpërmendur.

Pesha paraprake e gjetjes është më shumë se 572 kg, sepse pikërisht në këtë shifër dhe u thye peshorja. Fragmenti i meteoritit u ngrit në sipërfaqe me ndihmën e një teknike të posaçme, shpjegoi Drejtori i kompanisë që ka kryer punimet përkatëse, Nikollai Murzin:

- Sipërfaqja e ujit të liqenit ishte shumë e tallazuar dhe e vështirësonte ngritjen e fragmentit të gjetur. Kur arritën ta nxjerrin nga uji megjithatë e vunë mbi binarë të posaçëm dhe pas kësaj e rrokullisën deri në breg. Nga vendi ku kishte rënë ai (në fundin e liqenit) e deri në breg ishin më shumë se dy kilometra. Ne na pengonte tej mase gjatë zhvillimit të këtij operacioni era e fortë, fshikulluese. Ishte pothuajse e pamundur të punohej prej saj.

Përkundër faktit se ekspertiza e fragmentit nuk është bërë ende, me shumë gjasa, ky dhe është meteoriti i shumëdëshiruar. Një bindje të tillë e shprehu edhe Marina Aleksandrova:

- Në vendin e ngritjes së fragmentit ishin të pranishëm edhe ekspertët e Universitetit të Çeljabinskut. Në bazë të shenjave aparenciale ata e karakterizuan objektin e gjetur si meteorit. Fragmenti është në ngjyrë të errët dhe ka disa gjurmë të shkrirjeve. Nëse ekzaminimi do të konfirmojë origjinën e tij kozmike, meteoriti do të vendoset në Muzeun Krahinor të Çelyabinskut dhe atëhere atë do të kenë mundësi ta shohin të gjithë.

Operacioni për ngritjen e meteoritit zgjati më shumë se një muaj. Gjatë kësaj kohe zhytësit kanë arritur të grumbullojnë 12 fragmente. Më i madhi ndër ta peshonte rreth 20 kilogramë. Por pas studimit të imtësishëm të tyre vetëm 4 fragmente të vogla shkencëtarët i njohën si "mysafirë" të ardhur nga kozmosi. Mosha e tyre rezultoi të jetë më shumë se 4.5 miliardë vjet.