Kërkesa e të krishterëve sirianë mbërriti në Ministrinë ruse të Punëve të Jashtme nëpërmjet kanaleve diplomatike. Në letër theksohet se terroristët janë të gatshëm të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm me qëllim të spastrimit të Sirisë nga të krishterët. Autorët e letrës nuk kanë ndërmend të "braktisin tokën në të cilën ka shkelur Krishti" dhe premtojnë se do të mbrojnë deri në fund "atdheun, nderin dhe besimin" e tyre. Në këtë rast ata e shikojnë Rusinë si një vend garantues të "paqes dhe stabilitetit". Të krishterët nuk presin as para, as ndihma humanitare nga Moska. Mirëpo ata shpresojnë shumë të marrin shtetësinë ruse. "Ne do të jemi nën mbrojtjen e Rusisë në qoftë se do të përballemi me kërcënimin e zhdukjes fizike nga terroristët", - thuhet në letrën e të krishterëve sirianë.

Duke marrë parasysh se si po shkojnë gjërat në atdheun e tyre, dëshira e të krishterëve sirianë, për të marrë një pasaportë ruse, është mëse e arsyeshme, thotë orientalisti rus Stanisllav Tarasov:

- Pasaporta ruse është një kartë mbrojtëse për ta. Çfarë do të ndodhë me Sirinë, ende nuk dihet. Sipas disa parashikimeve, me ose pa Assad-in, Siria mund të shndërrohet në një konfederatë. Por ajo mund edhe të ndahet në tre apo katër pjesë dhe të pushojë së ekzistuari si një shtet i unifikuar. Për këtë arsye të krishterët që jetojnë në territorin e Sirisë duan të sigurojnë mbështetjen e Rusisë, të paktën në planin moral.

Firmat në fund të peticionit janë hedhur nga rreth 50.000 njerëz. Ata janë banorë të disa qendrave të banuara të rajonit të Kalamun që ndodhet në afërsi të Damaskut. Nga njëra anë fakti, se letra është firmosur nga një numër kaq i madh njerëzish, i jep asaj një peshë suplementare. Nga ana tjetër për Rusinë në këtë kontekst ka një vështirësi të caktuar, mendon eksperti i Institutit rus të Lindjes së Mesme Sergei Serjogiçev:

- Ne nuk mund të refuzojmë kërkesën e këtyre njerëzve. Por nëse ne marrim një vendim pozitiv për ta, dhe pastaj, mos e dhëntë Zoti, ndodh diçka, neve do të na duhet të evakuojmë një numër të madh shtetasish rusë, pasi nuk ka rëndësi fakti nëse bëhet fjalë për një rus me një pasaportë, apo një rus, i cili ka dy pasaporta - atë ruse dhe siriane. Nëse Presidenti do të japë urdhërin përkatës ata do të duhet të evakuohen. Dhe ky është një operacion i vështirë shpëtimi.

Vlen për t’u theksuar se Siria nuk është vendi i vetëm, ku të krishterët përndiqen. Sipas të dhënave të organizatës kërkimore amerikane Pew Forum on Religion and Public Life, ndaj të krishterëve ushtrohet presion në 130 vende të botës. De facto sot për sot të krishterët janë grupi fetar më i persekutuar. Për të ilustruar shkallën e asaj që po ndodh është e mjaftueshme të thuhet se çdo orë në botë për arsye të përkatësisë fetare vritet një i krishterë.