Debatet mbi politikën e migracionit të BE-së kanë shpërthyer sërish me një forcë të re pas serisë së aksidenteve tragjike që ndodhën pranë ishullit italian Lampedusa, si rezultat i të cilave kanë gjetur vdekjen qindra refugjatë nga vendet e Afrikës së Veriut. Kështu, Presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schulz deklaroi se në Bashkimin Evropian duhet të themelohet "sistemi ligjor i migrimit", i tillë si ato që ekzistojnë në rajonet e mëdha migratore të botës, për shembull, në SHBA, Kanada apo Australi. Thelbi i propozimit: të shpërndahen shpenzimet në rritje për migrantët në mënyrë të barabartë në mes të anëtarëve të BE-së.

Sipas të dhënave të statistikave, në vitin 2012 shkalla e migrimit ilegal në vendet e Botës së Vjetër arriti deri në 72 mijë veta, çka është 1.5 herë më shumë se në vitin e kaluar. Vetëm në Itali, siç është raportuar nga faqja e Internetit e kanalit televiziv "France 24", sivjet kanë ardhur 30 mijë afrikanë - 4 herë më shumë se një vit më parë. Ndërsa sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në 10 vitet e fundit pranë brigjeve evropiane, si pasojë e fundosjes së anijeve dhe aksidenteve të ndryshme me to, kanë gjetur vdekjen në total 20 mijë njerëz. Megjithatë, ndonjë zgjidhje unike për problemet e lidhura me migrimin nuk është gjetur ende.

Këto ditët e fundit Parlamenti Europian miratoi krijimin e Sistemit Evropian të Mbikëqyrjes Kufitare - "Eurosur" (European Border Surveillance System), i cili do të fillojë të jetë operacional tashmë që në dhjetor të këtij viti. Pritet që sistemi në fjalë të lejojë zbulimin në kohë, ndër të tjera edhe me përdorimin e avionëve pa pilot, të anijeve me emigrantë në bord dhe të mundësojë ardhjen në ndihmë atyre. Por a do të mund të zgjidhë vallë kjo problemin e sigurisë së kufijve? Kurse Italia, siç njofton site "EurActiv", i dha start misionit të vet "ushtarako- humanitar" në Detin Mesdhe, i cili përfshin në vetvete, në veçanti, edhe operacionet e përbashkëta me autoritetet e reja libiane, vë në dukje analistja politike nga Instituti rus i Evropës, Olga Potjomkina:

- Libia ka frenuar deri pak kohë më parë fluksin e emigrantëve nga rajonet e brendshme të Afrikës. Aktualisht në Komisionin Evropian po zhvillohen debate të vazhdueshme në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm të plotfuqishmërive të Agjencisë së BE-së - "Frontex", të destinuar për koordinimin e sigurisë kufitare. Për këtë çështje po zhvillohen vërtetë debate, por procesi, me sa duket nga të gjitha, do të vazhdojë.

Sido që të jetë në të vërtetë, shumë politikanë janë plotësisht dakord me Martin Schulz se është e nevojshme që të zhvillohet një qasje e përbashkët mbarëevropiane për zgjidhjen e problemit. I këtij mendimi është edhe Kreu i Fraksionit të Socialistëve në Parlamentin Evropian, Hannes Swoboda:

- Është e domosdoshme vendosja e ekuilibrit në nivel evropian. Është e nevojshme të përcaktohet se kush vend kë do të pranojë, se çfarë shpenzimesh merr mbi vete secili shtet dhe të kërkohen zgjidhje të përbashkëta të problemit. Një pjesë të përgjegjësisë për këtë duhet ta mbajë çdo shtet anëtar i BE-së.