Startimi i misionit është planifikuar për në 28 tetor. Dy vjet më vonë planifikohet lëshimi i aparatit orbital ruso-evropian i destinuar për të studiuar Marsin. Ndërsa në vitin 2018 drejt Planetit të Kuq duhet të niset anija, e cila presupozohet të ulet mbi sipërfaqen e Marsit.

Tashmë po zhvillohen intensivisht projektet për kolonizimin e Marsit. Arkitektët-futuristë nga byroja e projektimit ruso-gjermane "ZA Architects" propozojnë dërgimin në Mars të një brigade robotësh ndërtues, veprimtaria jetësore e të cilëve mbështetet nga puna e paneleve diellore. Këta robotë kanë për detyrë të përgatisin vendstrehimet për njerëzit: të gërmojnë në tokën e Marsit shpella të mëdha e të thella dhe t’i përshtasin ato për jetesën e tyre. Pas kësaj atje do të mbërrijnë njerëzit. Atë që nuk do të mund ta bëjnë dot robotët, tokësorët do ta përgatisin vetë - do ta shtypin në printera 3D. Materiali për printim do të jetë toka marsiane. Vërtetë kjo tingëllon si në romanet fantastiko-shkencore. Por për çfarë të ëndërrohet atëhere nëse jo për Marsin?, shprehet akademiku i Akademisë Ruse të Kozmonautikës me emrin Ciollkovskij (Tsiolkovsky) Aleksandër Zheleznjakov:

- Do të vijë një ditë kur njerëzimit do t’i duhet të kërkojë megjithatë ndonjë planet tjetër për të zgjeruar arealin e habitatit të vet. Në etapën aktuale Marsi duket i vetmi planet i mundshëm, ku banorët e Tokës mund të hedhin rrënjë dhe të jetojnë në të ardhmen. Edhe pse, natyrisht, me disa vështirësi të caktuara.

Për të kapërcyer këto vështirësi mund të ndihmojë Hëna. Për njeriun do të jetë shumë më e lehtë të vendoset pikërisht atje, se sa kudo tjetër në kozmos, thotë akademiku Aleksandër Zheleznjakov:

- Hëna është, së pari, një poligon i mrekullueshëm testimi për raketat dhe teknologjitë kozmike. Së dyti, ajo është një bazë ideale për të eksploruar dhe hulumtuar kozmosin e largët. Vetëm vendosja e një teleskopi në anën e mbrapme të Hënës është diçka me të vërtetë e paçmuar! Do të ishte shumë më e arsyeshme fillimisht të eksplorohej intensivisht Hëna dhe pastaj të studiohej pak nga pak Marsi.

Jo shumë kohë më parë në Rusi ka gjetur zbatim programi për qëndrimin e njerëzve në maketin e anijes ndërplanetare kozmike - "Mars-500". Tani po zhvillohet puna për përzgjedhjen e ekipit për realizimin e fluturimit të vërtetë. Në Rusi sugjerojnë se qëndrimi, vizita e parë e njeriut në Mars duhet të jetë vetëm disa ditë. Kurse amerikanët pretendojnë për përgatitjen e misionit të një ekspedite të pilotuar me njerëz me kohëzgjatje 501 ditë.

I gjithë problemi konsiston në faktin se si të zgjidhet çështja e ushqimit. Eksperimentet kanë treguar se në tokën hënore nuk mund të rritet asgjë. Në tokën marsiane u kultivuan trangujt dhe domatet, por ato dolën krejtësisht të papërshtatshme për tu ngrënë për shkak të përmbajtjes së lartë të substancave të dëmshme. Një tjetër opsion i propozuar është printimi i ushqimit nëpërmjet printerave tre-dimensionalë (3D). Vetëm se një perspektivë e tillë mund t’i trembë e t’i bëjë të tërhiqen nga pjesëmarrja në fluturim vullnetarët, të cilët pranuan të përfshihen në eksperimentin marsian. Sikur të mos mjaftonte dhënia e lamtumirës të afërmve e familjarëve të tyre dhe kalimi i pjesës së mbetur të jetës duke dëgjuar këngën e zogjve në audio regjistrim, po të destinohet vetja për të ngrënë për gjithë jetën drekë sintetike, kjo është me të vërtetë e pasuportueshme.