Thashethemet, se në metronë e Moskës ka stacione sekrete, bunkerë të qeverisë, fantazma dhe madje vende jonormale, qarkullojnë në mesin e banorëve të Moskës që prej shumë vitesh. Por çfarë është e vërtetë dhe çfarë trillim në këto thashetheme? Digger-i rus Danilla Veleckij, i cili merret me hulumtimet e Moskës "nëntokësore", beson se shumë nga ato që fliten e tregohen për qytetin e nëndheshëm janë thjesht trillime:

- Metro-ja e Moskës është një objekt i mbrojtur, prandaj aksesi në tunelet e tij dhe ekplorimi i tyre është i mundur për pakkënd. Shumica e gojëdhënave e historive mbi minjtë mutantë dhe lloje të ndryshëm djajsh e shejtanësh (largqoftin, pra), nuk janë që tjetër veçse tregime të njerëzve që e dinë fort mirë se askush nuk mund të verifikojë dot vërtetësinë e tyre. Kurse informacioni, se atje ka stacione që nuk figurojnë në hartën e metrosë, është plotësisht i vërtetë.

 Foto: Flickr.com/A.Savin/сс-by-sa 3.0

© Foto: Flickr.com/A.Savin/сс-by-sa 3.0

Besohet se bunkeri sekret i qeverisë duhet të jetë në një stacion të veçantë, të mbyllur për pasagjerët, atë të quajtur "Sovjeckaja" (russ. "Советская"), i cili ndodhet në mes të stacioneve "Teatralnaja" (russ. "Театральная") - që më parë mbante emrin "Sheshi i Sverdllovit" (russ. "Площадь Свердлова") - dhe stacionit "Majakovskaja" (russ. "Маяковская"). Me urdhërin personal të Stalinit stacioni "Sovjeckaja" (russ. "Советская") u vendos që të përdoret si post komandues nëntokësor i Shtabit të Mbrojtjes Civile të Moskës. Kështu, mu në zemër të Moskës u shfaq një tunel ​​jashtëzakonisht i gjatë në mes të dy stacioneve të sipërpërmendura, që shkaktoi shumë thashetheme në radhët e popullsisë. Pikërisht për këtë arsye u vendos që të ndërtohet edhe një stacion tjetër i quajtur "Gorkovskaja" (russ. " Горьковская), aktualisht "Tverskaja" (russ. "Тверская"), i cili u hap në vitin 1979. Besohet se në qoftë se do të vërehet me kujdes brendësia e tunelit para stacionit "Tverskaja", atëhere mund të shihen mbetjet e platformës (peronit) dhe salla e stacionit "Sovjeckaja" ("Sovjetike").

Disa stacione të metrosë gëzojnë një reputacion të keq. Për shembull, stacioni "Sokoll" (russ."Сокол"). Ai është ndërtuar shumë thellë nën tokë, në vendin e varrimit të ushtarëve të vrarë gjatë Luftës së Parë Botërore. Makinistët e trenave gjithmonë përpiqen ta përshkojnë këtë tunel me shpejtësinë e mundshme maksimale. Shumë njerëz të ndjeshëm atje fillojnë të provojnë dhimbje koke dhe pothuajse gjithmonë në këtë vend vjen një erë shumë e çuditshme dhe fort e pakëndshme. Një situatë e ngjashme është edhe në stacionin "Sheshi Preobrazhenskaja" (russ. "Преображенская площадь"), i cili është ndërtuar nën Varrezat Preobrazhenskaja.

Digger-i rus Danilla Veleckij kujton se edhe sot e kësaj dite në mesin e të rinjve moskovitë qarkullon legjenda mbi trenin fantazmë:

- Disa herë në muaj në mesnatë treni fantazmë shfaqet në Linjën Unazore të metrosë (russ. Кольцевая линия). Ai praktikisht nuk i hap kurrë dyert e vagonave të vet. Brenda tyre janë shpirtrat e të dënuarve-metrondërtues, të cilët vdiqën gjatë ndërtimit të stacioneve të metrosë. Ta shikosh këtë tren është një ogur (shenjë) i keq. Në qoftë se dyert e trenit hapen, mos hip kurrë në të. Përndryshe do të humbësh përgjithmonë.

 Foto: wikimedia.org/A.Savin/cc-by-sa 3.0

© Foto: wikimedia.org/A.Savin/cc-by-sa 3.0

Metroja e Moskës është e bukur dhe misterioze. E megjithatë, kur të ndodheni brenda në të ndaloni hapin për një moment, hidhni pa u nxituar vështrimin rreth e përqark dhe vetëm pastaj hipni në vagonin e trenit. Ngulni vështrimin në errësirën ​​pas dritares: dhe ndoshta para syve tuaj do të hapet veli i misterit e do të zbulohen sekretet e metrosë nëntokësore të Moskës.