Si shkas për shpërthimin e këtyre trazirave shërbeu vrasja (therja) prej një personi të panjohur e banorit 25-vjeçar të Moskës, Jegor Sherbakov. Komiteti Hetues e ka marrë këtë çështje nën një kontroll të veçantë.

Autoritetet e Moskës kanë ngritur shtabin operativ për zgjidhjen e situatës së mbarsur me konflikt në rajonin Biruljovo Perëndimore, i cili do të ndihmojë efektivët e policisë për të stabilizuar situatën e krijuar në periferi të kryeqytetit, të kryesuar nga nënkryetari i Bashkisë së qytetit. Ministrisë së Punëve të Brendshme i është dhënë udhëzimi për kapjen sa më të shpejtë të kriminelit. Sot policia ka ndërmarrë kontrolle në tregjet e qytetit.

Në të njëjtën kohë policia është duke punuar edhe me të ndaluarit gjatë kohës së trazirave, tha Ministri i Brendshëm rus, Vladimir Kollokolcev:

- Me të gjithë nxitësit, iniciatorët dhe ata që kanë gisht në shpërthimin e trazirave ne duhet të bashkëpunojmë vetëm brenda kuadrit të çështjeve penale nën hetim. Për kurrfarë marrëveshjesh apo ujdish me kriminelët as që mund të bëhet fare fjalë.

Gjithsej gjatë kohës së trazirave janë arrestuar 380 persona. Sipas raporteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndaj 70-ve prej tyre tashmë janë përpiluar protokollet administrative, 2 nga pjesëmarrësit aktivë në trazirat e sipërpërmendura janë ndaluar edhe për 48 orë të tjera për procedurën e mëtutjeshme të hetimit të ndodhisë. Po zhvillohen kontrolle e verifikime edhe në bazën e frutave dhe perimeve, ku patën vend trazirat. Ngjarjet në jug të Moskës ekspozuan qartë, duke nxjerrë kësaj here në sipërfaqe, problemet e pjekura që prej shumë kohësh, vë në dukje eksperti rus Juri Krupnov:

- Me numrin me të vërtetë gjigand të migrantëve, cilët janë përqendruar në qytetet e mëdha të Rusisë, në fakt, nuk po merret askush. E gjithë kjo është lënë në mëshirën e sipërmarrësve individualë, diasporave. Njerëzit nuk janë të indinjuar nga vetë migrantët, sado që ndokush do të dëshironte shumë që vala e zemërimit të drejtohej pikërisht kundër tyre, por nga fakti i mungesës së një rregulli të rreptë të qëndrimit të tyre në vend dhe moszbatimit të ligjit.

Avokati i Popullit për të drejtat e njeriut Vladimir Llukin është mëse i bindur se problemi nuk konsiston në mungesën e ligjeve, por në korrupsionin drastik. Sipas fjalëve të tij, autoritetet komunale thjesht bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh ndaj asaj që po ndodh, në vend që të punojnë çdo ditë drejtpërdrejti me migrantët dhe të përpiqen të afrojnë etnitë e ndryshme, tha Vladimir Llukin:

- Është e domosdoshme të merren masa imediate për asimilimin e njerëzve atje ku ata jetojnë aktualisht, ekzistojnë teknologji të posaçme të destinuara për integrimin e njerëzve të ardhur rishtas në shoqëri. Ato veprojnë tashmë në Gjermani, në Francë dhe në një sërë vendesh të tjera, edhe pse atje ka gjithashtu konflikte. Autoritetet komunale duhet të angazhohen me punë konkrete - të afrojnë midis tyre njerëzit, të identifikojnë liderët informalë dhe të zhvillojnë me ta punë sqaruese, bindëse. Kjo është detyrë edhe e shoqërisë civile, edhe e vetë shtetit.

Avokati i Popullit për të drejtat e njeriut sugjeroi përfshirjen e shoqërisë dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut në diskutimin e këtij problemi, si dhe zhvillimin e një hetimi parlamentar në lidhje me ngjarjet në rajonin Biruljovo të Moskës.