Madje që tani uji i pijshëm është më i shtrenjtë se nafta. Me kalimin e kohës etja mund të bëhet shkas për një rindarje të botës.

Në Tokë po vërehet ngrohja globale. Sipas parashikimit të grupit ndërkombëtar të ekspertëve, pas 100 vjetësh do të jetë më ngrohtë nga 1.5-4 gradë Celsius. Për disa vende, për shembull, në Azinë Qendrore, kjo është e barasvlershme me një katastrofë të vërtetë - ato do të përballen pashmangshmërisht me thatësirën, konfirmon Drejtuesi i programit "Klima dhe energjetika" të Fondit Botëror të Natyrës së Egër (World Wildflife Fund, WWF), Aleksei Kokorin:

- Është mirë nëse vendet disponojnë konstruksione dhe impiante hidroteknike bashkëkohore. Por ato janë shumë të kushtueshme. Siç dihet, në këto vende objekte të tilla janë tashmë tejet të vjetra dhe nuk i kryejnë më funksionet e tyre ashtu siç duhet.

Përpjekjet për ndërtimin e digave të reja po bëhen shkas për grindje dhe konflikte ndërkombëtare. Në veçanti, Uzbekistani ka kërcënuar hapur Taxhikistanin për të filluar luftën me të, nëse Dushanbe-ja do të ndërtojë hidrocentralin “Rogunskaja” mbi lumin Vahsh dhe do të kufizojnë me këtë derdhjen e ujit në rrjedhën e poshtme të tij.

Një situatë e ngjashme evidentohet edhe në Afrikë. Pellgun e lumit Nil e ndajnë mes tyre rreth 10 vende dhe për të gjitha ato është përcaktuar kuota e lejuar e përdorimit të burimeve ujore. Por që nga kohërat kolonialiste vëllimi kryesor i ujit i bie për pjesë Egjiptit. Deri tani çdo përpjekjeje për të rishikuar marrëveshjet e kahershme dhe për të rritur kuotat e ujit vendeve të tjera Kajro i është përgjigjur me refuzim. Por tani ky vend është dobësuar ndjeshëm nga kriza e brendshme dhe Etiopia vendosi të shfrytëzojë momentin e volitshëm. Në territorin e saj merr fillesën e vet Nili Blu, i cili është burimi kryesor ushqyes për lumin e madh. Dhe atje Addis Ababa ka filluar ndërtimin e një dige. Etiopasit konfirmojnë se po t’u krijohej mundësia për të ujitur tokën me ujërat e Nilit, ata do të mund të refuzonin atëhere ndihmën e jashtme ushqimore. Banorët e Egjiptit reagojnë me indinjatë e zemërim ndaj këtij pretendimi dhe shprehen të gatshëm për të mbrojtur të drejtat e tyre mbi ujin e Nilit me armë në dorë.

Popullsia e Tokës po rritet dhe po konsumon shumë më tepër burime natyrore nga ç’është në gjendje të rigjenerojë planeti. Sipas të dhënave të OKB-së, nëse rritja do të vazhdojë me ritme të tilla, atëhere nafta do të mjaftojë vetëm për 50 vitet e ardhshme, gazi natyror për 60 vjet, ndërsa mungesën akute të ujit të ëmbël mbas 10 vjetësh do ta përjetojë pothuajse gjysma e popullsisë së planetit. Dhe atëhere lufta do të bëhet e pashmangshme - fillimisht ajo e informacionit (Information Warfare), ndërsa pastaj si të marrë rrugë problemi. Dhe Rusia me burimet e saj të mëdha të ujit të ëmbël dhe liqenin unikal Bajkal do të bëhet kandidate e parë për sulmim, mendon analisti politik rus Oleg Matvejçev:

- Lufta e informacionit - që do të thotë t’i bëhet e qartë komunitetit botëror se burimet natyrore janë trashëgimi e përbashkët - për ta detyruar Rusinë t'i japë gjithkujt qasje të pakufizuar në ujërat e liqenit Baikal dhe, në përgjithësi, në të gjithë ujin e ëmbël të vendit tonë. Thuhet se gjoja të gjithë ne marrim frymë me një ajër, prandaj po kështu duhet të përdoret edhe uji.

Luftën për burimet e ujit mund ta parandalojë vetëm shfrytëzimi i arsyeshëm, krejtësisht pa mend i tyre. Kursimi plus teknologjitë moderne janë plotësisht në gjendje për të parandaluar katastrofën mjedisore dhe atëhere uji si burim i jetës nuk do të shndërrohet në shkak për vrasje.