Qëndrimi mjaft i rreptë i autoriteteve ruse ka shkaktuar reagime të përziera në radhët e komunitetit botëror. Shtypi perëndimor tashmë ka iniciuar një fushatë të zhurmshme në mbrojtje të "Greenpeace". Por shumë ekspertë janë të prirur t’i quajnë veprimet e aktivistëve të kësaj organizate ekstremizëm ekologjik (mjedisor). Ja këndvështrimi i gazetarit rus Mihaill Vojtenko përkatësisht situatës së krijuar:

- Të gjithë kishin frikë të ngatërroheshin me "Greenpeace", duke filluar që nga korporatat e mëdha e duke përfunduar me shtete të tëra. Por u gjet një që nuk iu druajt kësaj. Unë jam mëse i bindur se shumica e aktivistëve dhe anëtarëve të ekuipazheve të anijeve të "Greenpeace" nuk janë të vetëdijshëm për pasojat e mundshme ligjore të këtyre veprimeve. Që këtej e tutje ata do të tregohen shumë më të mençur e më të kujdesshëm. Në fakt, asnjë lloj piraterie në veprimet e tyre nuk ka. Por nga pikëpamja e ligjit kjo mund të cilësohet plotësisht si pirateri.

Tema kryesore e fushatës informative anti-ruse dhe u bë pikërisht, sipas mendimit të mediave perëndimore, ashpërsia e tepruar e dënimit. Mendimi i analistit politik rus Sergei Mihejev:

- Aktivistët e "Greenpeace" po përpiqen t’i paraqesin tani si luftëtarë altruistë për mbrojtjen e natyrës, ndërsa shtetin rus si shtypës të lirisë. Në fakt, "Greenpeace" është një organizatë e dyshimtë, e cila përdor shumë shpesh metoda të paligjshme. Në përgjithësi, kjo është pothuajse një organizatë ekstremiste. Ka pasur jo pak raste kur veprimet e aktivistëve të saj kanë luajtur rolin e vet në lojërat e ndyra ekonomike dhe politike.

Një këndvështrimi të ngjashëm i përmbahet edhe eksperti argjentinas në fushën e ekonomisë dhe energjetikës, Doktor i shkencave ekonomike Carlos Andres Ortiz:

- Veprimi i tyre ishte një sulm i vërtetë mbi platformën detare ruse të naftës. Aktivistët e "Greenpeace" vepruan në mënyrë shumë të vrazhdë dhe provokuese. Po t’i quajmë gjërat me emrin e tyre të vërtetë, fjalë bëhet për "terrorizmin ekologjik" (të mjedisit). Aktivistët e "Greenpeace" i intereson ku e ku më shumë rezonanca publike, gjë të cilën ata e kanë arritur. Për fat të keq, jo për të gjithë është e qartë se prapa gjithë këtyre verimeve fshihen interesat gjeopolitike të lojtarëve të mëdhenj ndërkombëtarë, të cilëve u shërben me devotshmëri "Greenpeace".

Duhet pranuar se ambjentalistët radikalë kanë kryer e kryejnë veprime të tilla jo vetëm kundër objekteve ruse. Por kjo nuk mund të largojë nga "Greenpeace" dyshimin për anshmëri politike, thotë analisti politik rus Aleksandër Gusjev:

- Këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Aksione e veprime të ngjashme janë zhvilluar prej aktivistëve të "Greenpeace" pothuajse në të gjithë botën. Dhe Rusia nuk bën përjashtim në këtë rast. Nga ana tjetër, pas aktiviteteve të tyre qëndrojnë forca të caktuara politike dhe ekonomike, të cilat në të vërtetë i manipulojnë ata.

Sipas mendimit të Aleksandër Gusjev, e gjithë zhurma e buja në mediat perëndimore u shkaktua nga vetë fakti se ambientalistët kanë marrë kësaj here një përgjigje mjaft serioze për veprimet e tyre. Sigurisht, probleme me mjedisin ka shumë e shumë, - thotë eksperti, - por mendoj se vëmendja ndaj problemeve ekologjike duhet të tërhiqet me metoda të tjera.