Madje më tepër se kaq, në Partinë Social Demokratike të Gjermanisë (gjermanisht Sozialdemokratische Partei Deutschlands, SPD) shpresojnë për postin e ministrit të financave - ndërsa ky është i vetmi dikaster që ka të drejtën e vetos për vendimet e administratës së Kancelarit. Në këto rrethana shokët e idesë dhe bashkëpunëtorët e Angela Merkel ranë dakord për të negociuar me Partinë ekologjiste "Të Gjelbërit".

Pozita e fortë aktuale e Kancelares së Gjermanisë shpjegohet me një sërë arsyesh. Merkel është në moshën më produktive dhe plot energji e vendosmëri, ajo ka bashkuar rreth vetes Partinë CDU, ajo përcakton tonin në Bruksel gjatë shpëtimit të euros dhe zgjidhjes së problemeve të borxhit në eurozonë. Të gjitha këto i imponojnë shumicës së gjermanëve respekt dhe madje admirim për të. Kurse fitorja e arritur në zgjedhjet e shtatorit e bëri Merkel udhëheqësen e vetme botërore që përballoi me dinjitet dhe sukses kohërat e vështira.

Me të vërtetë, strategjia e zgjedhur nga Merkel deri kohët e fundit i ka siguruar Gjermanisë stabilitetin e lakmuar, të shumëdëshiruar. Por tronditjet dhe trazirat e paradokohshme evropiane, ka shumë gjasa, që të kërkojnë nga koalicioni qeverisës ndofarë zgjidhjesh të reja.

Ndoshta kthesa e partisë së Merkelit në anën e "Të Gjelbërve" dhe do të bëhet pikërisht kjo "zgjidhje e re". Duhet thënë se në programet parazgjedhore "të të gjelbërve" - meqë ra fjala po ashtu si dhe në ato të të majtëve - përmbahen sugjerime mjaft interesante lidhur me rolin e Moskës. "Të Gjelbërit", në veçanti, ofrojnë një mënyrë të tillë të reformimit të NATO-s që në "arkitekturën e ndryshuar shumëpalëshe të sigurisë të mund të integrohet edhe Rusia". Të majtët, në përgjithësi, kërkojnë shpërbërjen e NATO-s dhe zëvendësimin e këtij blloku me sistemin e sigurisë kolektive me pjesëmarrjen e Rusisë. Pavarësisht nga kjo duhet theksuar se aleanca hipotetike e Bashkimit Kristiandemokrat (CDU) me "Të Gjelbërit" mund të sjellë edhe surpriza të caktuara në marrëdhëniet midis Berlinit dhe Moskës. Sepse, në këtë rast, në faqet e gazetave gjermane në komentet kushtuar temave ruse do të figurojë vazhdimisht emri i Marieluise Beck - kritikes së ashpër, madje të papajtueshme të Kremlinit. Ajo konsiderohet si një eksperte mjaft kompetente për Evropën Lindore në kampin e "Të Gjelbërve" dhe ka të drejtë të shpresojë për një post të lartë, të lidhur me politikën e jashtme.

Shumë vëzhgues, komentatorë dhe analistë politikë theksojnë tani se mandati i tretë nuk do të kalojë pa probleme për Kancelaren. Merkel do të përballet me sfida që nuk do të mund të zgjidhen dot më me përdorimin e recetave të vjetra - kursimtarinë (nikoqirllëkun) dhe kufizimin e shpenzimeve. Po ngadalësohet rritja ekonomike, po thellohet vazhdimisht hendeku midis të pasurve dhe të varfërve. Social-demokratët kanë propozuar tashmë për të aplikuar pagën minimale dhe për të rritur taksat për të pasurit. Por biznesi i madh shprehet kategorikisht kundër kësaj. Nëse Social-demokratët do të përfshihen në përbërjen e qeverisë, atëhere debati mbi këtë çështje nuk do të mund të shmanget dot. E pashmangshme, me sa duket nga të gjitha, do të jetë edhe rritja e shpenzimeve publike - kundër së cilës Merkel ka dalë në mënyrë konsekuente në Bashkimin Evropian.