"Stalingradi" është filmi i parë rus i realizuar në formatin IMAX 3D.

Puna regjisoriale e Fjodor Bondarçuk nuk është thjesht një film i zakonshëm aksion. Së pari, ai është realizuar në bazë të ngjarjeve reale historike. Së dyti, përveç anës mjaft spektakolare vizuale ai përshkohet fund e krye nga ideja artistike, është tërësor.

Në ekran shfaqet Stalingradi, qyteti rus pranë lumit Vollga. Është nëntor i vitit 1942. Zhvillohen betejat e tmerrshme të përgjakshme të ushtrisë sovjetike me trupat naziste. Një grup zbuluesish sovjetikë mbron me vetëmohim një godinë banimi, të cilën më parë ia morrën me sulm ushtarëve naziste. Atje ata gjejnë një vajzë - të mbijetuarën e vetmen ndër gjithë banorët e pallatit. Shfaqja e saj në mënyrë të habitshme i bashkon luftëtarët: për disa ajo bëhet bijë, për të tjerët - mike, ndërsa për dikë e dashur. Ajo mishëron në vetëvete gjithçka, ose më mirë, të gjithë - të humburit apo ata të pagjeturit kurrë.

Krijimi i legjendës

Foto: KinoPoisk.ru

Foto: KinoPoisk.ru

Regjisori Fjodor Bondarçuk ka parashtruar versionin e vet të "fenomenit të Stalingradit". Përse ushtarët e sfilitur rusë, të cilët u detyruan të tërhiqeshin për një kohë të gjatë nën presionin e trupave gjermane, arritën ta kthejnë ecurinë e luftës në favor të tyre? Ja si e shpjegon këtë vetë regjisori:

- Po vazhdonte viti i dytë i luftës dhe secili kishte historinë e tij personale. Është tepër e vështirë për ta përjetuar këtë ndjesi, duke e imagjinuar veten në vendin e njerëzve të asaj kohe. Por, duke u ndodhur në një situatë të tillë, unë ndoshta do të isha mbushur me ndjenjën e hakmarrjes dhe motivimin për veprimet e mia do ta kisha jashtëzakonisht të fortë - sado ashpër që të tingëllojë kjo.

Meqë ra fjala, ushtarët gjermanë në film nuk janë aspak armiq pllakatesh, nuk janë karikatura. Ata janë njerëz të cilët kanë dyshime, që provojnë ndjenjën e turpit, dhimbjes. Ka madje dhe një linjë historie dashurie mes një oficeri gjerman dhe një bukurosheje ruse. Përveç kësaj, personazhet kryesorë antagonistë të filmit - oficeri sovjetik dhe oficeri gjerman - vriten së bashku, duke parë njëri-tjetrin në sy në momentet e fundit të jetës. "Por ky, sigurisht, nuk është aspak pajtim", - thotë Fjodor Bondarçuk:

- Ne nuk donim në asnjë mënyrë ta finalizonim filmin me harrimin dhe faljen e gjithçkaje të ndodhur, me vënien e shenjës së barazimit mes të zezës dhe të bardhës. Finalja e filmit është kjo - palët kundërshtare ndodhen në një vend, ky është imazhi i luftës, por kurrsesi jo i pajtimit.

Foto: KinoPoisk.ru

Foto: KinoPoisk.ru

"Stalingradi" është paraqitur nga Rusia si kandidat për çmimin prestigjioz kinematografik "Oscar" në kategorinë "Filmi më i mirë në gjuhë të huaj".