Lonnie Snowden ndërmorri fluturimin në Moskë për t'u takuar me djalin e vet dhe për të diskutuar hapat e mëtejshëm të tij. Ai është mëse i bindur se SHBA-ja nuk figuron në listën e vendeve ku Edward-i mund të zhvendoset në të ardhmen - atje ai nuk mund të shpresojë kurrsesi për një qëndrim dhe trajtim të drejtë ndaj vetes ose të paktën për garantimin e sigurisë.

Snowdenët - babë e bir - nuk janë parë që prej gjashtë muaj. Avokatët amerikanë i kanë rekomanduar me këmbëngulje babait të tij për të mos komunikuar me djalin. Por ndjenja farefisnore, lidhja e gjakut dolën më të forta. Lonnie Snowden mbërriti tashmë në Moskë, ku ai u prit nga konsulenti rus i Edward Snowden në çështjet ligjore, avokati Anatoli Kuçerena (Anatoliy Kucherena).

Është planifikuar që Lonnie Snowden të qëndrojë në Moskë nja dy javë. Gjatë kësaj kohe ai ka ndërmend të diskutojë me djalin e tij se çfarë duhet të bëjë më tej ky i fundit, kur t’i përfundojë periudha e autorizuar e qëndrimit në Rusi. Se ku do të shkojë më pas Edward-i, kjo tani për tani nuk është e qartë, por nuk ka gjasa që vendi i zhvendosjes së ardhshme tij të jetë SHBA-ja, mendon Lonnie Snowden:

- Unë nuk jam i bindur se djali im do të kthehet përsëri në Amerikë. Ky është vendimi i tij dhe unë e respektoj atë. Unë ndiej një mirënjohje të thellë ndaj të gjithë atyre që kanë ndihmuar djalin tim. Im bir është tani jashtë çdo rreziku dhe në liri.

Në SHBA Edward Snowden është akuzuar për spiunazh. Dënimi për të akuzuarit me këtë nen parashikon edhe dënimin me vdekje. Rreziku për t’u kapur nga agjentët amerikanë do t’i kanoset ish-oficerit të zbulimit amerikan për gjithë pjesën e mbetur të jetës së tij, me çfarëdo pune që të angazhohet ai në të ardhmen, mendon analisti politik rus Aleksei Muhin:

- Snowden i ka dorëzuar një pjesë të informacionit disponues mediave, të cilat tani vazhdojnë të publikojnë demaskimet e reja të tij. Duhet thënë se kjo gjë doli me leverdi për shërbimet e inteligjencës amerikane dhe fitimprurëse për ato korporata që janë përmendur në demaskimet publike të Snowden-it. Korporatat kanë siguruar për veten klientë suplementarë, kurse shërbimet speciale amerikane kanë përfituar demonizimin e imazhit të tyre në mënyrë që të vazhdojnë të ushtrojnë edhe në të ardhmen presion moral mbi komunitetin botëror.

Zhurma e buja që bëri në Europë publikimi i informacionit të klasifikuar rreth asaj se si agjentët e SHBA-së survejojnë qytetarët dhe madje liderët politikë të vendeve mike tashmë ka pushuar. Premtime nga SHBA-ja, se agjencitë e saj të inteligjencës do të heqin dorë nga praktikat e tyre të sipërpërmendura, nuk kanë pasuar. Nuk e kanë lënë në heshtje këtë histori, ndoshta, vetëm në Amerikën Latine - Presidentja e Brazilit Dilma Vana Rousseff e ngriti çështjen e spiunazhit nga tribuna e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Por më tej se zhvillimi i hetimeve brenda shteteve çështja nuk shkon.

Kurse Edward Snowden po mëson tani gjuhën ruse, lexon libra dhe ëndërron të vazhdojë aktivitetin e vet në sferën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.