Filmi i Fjodor Bondarçuk "Stalingradi" është, ndoshta, projekti më ambicioz, më i bujshëm kinematografik i vitit 2013. Filmi në fjalë ka hyrë tashmë në listën e gjatë të kandidatëve për çmimin "Oscar". Edhe pse në ekran të gjerë filmi do të dalë vetëm në 10 tetor, shfaqjet paraprake premiera të tij u mbajtën në Vollgograd, Moskë dhe Shën Petersburg.

Në Muzeun e Artit Multimediatik të Moskës u prezantuan fotot e bëra gjatë periudhës së xhirimit të filmit. Shumë prej këtyre fotografive mund të konsiderohen me të drejtë të plotë si vepra të veçanta arti. Ja se çfarë tregon për ekspozitën fotografike Drejtorja e Muzeut të Artit Multimediatik të Moskës, Olga Svibllova:

- Fjodor Bondarçuk më tregoi fotografitë e bëra prej tij gjatë xhirimeve të filmit "Stalingradi". Fotot janë me të vërtetë të mrekullueshme, fantastike, do të thoja. Përveç kësaj, ekspozita jonë përfshin edhe fotografi të fotografëve të ndryshëm. Paralelisht ne kemi ekspozuar edhe fotot nga arkivat tona. Kështu që vizitorët do të kenë mundësinë unikale për të parë realitet e kohës së Betejës së Stalingradit.

Në ekspozitën në fjalë është paraqitur edhe një nga fotot më të famshme të klasikut të fotografisë sovjetike - Emmanuil Evzirihin, në të cilën është pasqyruar shatërvani "Vallja e kënduar e fëmijëve" pas sulmit ajror të avionëve gjermanë të 23 gushtit të vitit 1942.

Mjeshtri i fotografisë ka arritur të kapë, të fiksojë në objektivin e aparatit të vet kontrastin në mes të fëmijëve që kërcejnë të lumtur e të shkujdesur dhe tabllosë së tmerrshme, rrënqethëse të shkatërrimit të qytetit gjatë Betejës së Stalingradit.

Fotografia e Emmanuil Evzirihin-it përshëndet në hyrje të ekspozitës vizitorët, duke i ftuar ata për një udhëtim në botën e xhirimeve të filmit. Vizitorët do të kenë mundësi të vërejnë në detaje, të shohin dhe madje të ndjejnë, të perceptojnë se si është krijuar legjenda bashkëkohore mbi luftën e tmerrshme. Përveç fotografive të vetë regjisorit të filmit Fjodor Bondarçuk në sallat e ekspozitës janë paraqitur edhe punët e Aleksandër Nizovskij.

"Gjatë kohës së realizimit të xhirimeve të filmit të gjithë të pranishmit në to të pajisur me kamera, aparate fotografike dhe telefona celurarë fotografonin gjithçka pa përjashtim, - tha në ceremoninë e hapjes së ekspozitës Fjodor Bondarçuk. - Në fakt, ky ishte një shkëmbim fotografish nga jeta e grupit të xhirimit".

Regjisori falenderoi gjithashtu piktorët që punuan për realizimin e dekoracioneve. Sipas fjalëve të tij, atmosfera e kohës së luftës u arrit të rikrijohet në mënyrë kaq të vërtetësishme dhe reale, saqë shumë njerëz, të cilët panë fotografitë e bëra gjatë xhirimeve të filmit, i morrën ato për foto origjinale të kohës së luftës.