Ajo rikujtoi se për shkak të vështirësive ekonomike Evropa është e zënë tani me punët e veta të brendshme dhe për vendet e treta ky është një moment shumë i përshtatshëm për të zgjeruar ndikimin e tyre.

Në veçanti, lituanezët konfirmojnë se ata janë të detyruar t’i paguajnë kompanisë ruse "Gazprom" për gazin e kontraktuar 35 % më shumë se Gjermania. Ndërsa deputeti i Parlamentit Evropian nga Polonia Jacek Emil Saryusz-Wolski mendon se BE-së i janë grumbulluar një sërë çështjesh të diskutueshme e pretendmesh ndaj Rusisë: që nga respektimi i të drejtave të njeriut në Rusi e deri tek veprimtaria operative e "Gazprom-it" në Bullgari, në Republikën Çeke, në Hungari, Poloni dhe shtetet balltike. Sipas mendimit të analistit politik rus Leonid Savin, pas këtyre pretendimeve qëndron në mënyrë krejtësisht evidente lufta konkrete për sferat e ndikimit:

- Në Samitin e "Partneritetit Lindor" në Vilnius Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia duhet të nënshkruajnë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) me BE-në, e cila do të parandalojë, do të pengojë realisht hyrjen e tyre në Bashkimin Doganor. Sigurisht, një sërë vendesh të Evropës Lindore vazhdojnë të ushtrojnë me zell të madh presion të gjithëmundshëm mbi Rusinë. Në radhë të parë, Lituania. Kurse Polonia është e interesuar në zgjerimin e zonës së ndikimit të vet në Ukrainë dhe Moldavi.

Pavarësisht nga vështirësitë objektive dhe subjektive, sipas mendimit të disa analistëve, aktualisht mes Rusisë dhe Evropës janë duke u hapur mundësi të reja. Thjesht në momentet e tanishme duhet të mendohet më shumë mbi problemet ekonomike, sepse për Evropën tani kjo është gjëja më e rëndësishme. Nëse problemet ekonomike nuk do të gjejnë zgjidhje, atëhere në Evropë do të fillojë kriza politike, e cila mund të çojë madje deri në shpërbërjen e BE-së. Për më tepër se në konfrontim me Rusinë atë e shtyjnë qëllimisht, me pikësynim të caktuar, mendon analisti politik Sergei Mihejev:

- Europa nuk është e bashkuar (unike). Kryesisht zërat dëgjohen nga Europa Lindore dhe Europa post-sovjetike: shtetet balltike (Lituania, Letonia, Estonia) dhe Polonia. Këto vende janë ndër aleatët më të ngushtë të SHBA-së në Evropë. Amerikanët i shfrytëzojnë hatërmbetjet, pretendimet e tyre historike dhe komplekset e dhimbshme për arritjen e qëllimeve të veta. Sepse në qoftë se Evropa dhe Rusia do të arrijnë të vendosin një bashkëpunim konstruktiv, atëhere roli i amerikanëve në kontinentin evropian do të reduktohet në mënyrë të konsiderueshme.

Por është e plotësisht e mundur që kriza në marrëdhëniet ruso-evropiane të jetë shumë më e thellë nga ç’besojnë optimistët. Siç ka deklaruar pak kohë më parë në intervistën e vet me gazetën ruse "Kommersant" Përfaqësuesi i ri i BE-së në Moskë, Vygaudas Ušackas, vendosja e besimit të vërtetë është e mundur vetëm atëhere kur palët ndajnë vlera të përbashkëta. Kjo vlen edhe për të drejtat e minoriteteve seksuale, edhe për veprimet e organizatave ndërkombëtare mjedisore (ekologjike), edhe për rendin politik e shoqëror në përgjithësi. Për sa kohë që Evropa dhe Rusia nuk do të vijnë në një emërues të përbashkët, të paktën në lidhje me këto çështje, fqinjësia e mirë e tyre do të dështojë shpesh në testin e qëndrueshmërisë.