Kurse Agjencia Bloomberg parashikon apokalipsin global në qoftë se në Kongresin amerikan nuk do të arrijnë të gjejnë një kompromis përpara 17 tetorit. Deri në atë datë në buxhetin e SHBA-së do të mbeten gjithsej vetëm 30 miliardë dollarë $, shumë kjo ekuivalente me default-in teknik të një prej ekonomive më të mëdha në botë.

Një nga Agjencitë më të respektuara e më të autoritetshme të informacionit të sferës së biznesit - Bloomberg - parashikon kolapsin e ekonomisë botërore në rast se SHBA-ja do të deklarojë default-in dhe nuk do të jetë më në gjendje të paguajë detyrimet e huaja. Analistët e krahasojnë default-in me falimentimin e Bankës së investimeve "Lehman Brothers" në prag të krizës së vitit 2008, dhe thonë se tani gjithçka do të jetë edhe më keq se atëhere. Në atë kohë kolapsi i Bankës "Lehman Brothers" shkaktoi recesionin më të rëndë që prej periudhës së Depresionit të Madh në Shtetet e Bashkuara dhe u bë pikënisje e krizës globale financiare, nga pasojat e së cilës bota nuk e ka marrë veten deri tani.

Në qoftë se SHBA-ja do të rreshtë së paguari tani llogaritë (faturat e veta) - kjo do të çojë në destabilizim të theksuar të tregjeve të aksioneve që nga Brazili deri në Zyrih, do të ndalojë mekanizmin e kreditit prej 5 trillion $ që ndodhet në varësi të plotë të borxhit publik. Kjo, nga ana e vet, do të shembë me zhurmë monedhën amerikane dhe do të çojë ekonominë globale në "fundin e botës", sipas Bloomberg.

Për shpëtimin e situatës Kongresit të SHBA-së i mbeten vetëm 9 ditë. Pavarësisht këtij fakti konfrontimi midis demokratëve dhe republikanëve po vazhdon. Shumë analistë nuk janë të prirur të ndajnë pesimizmin e Agjencisë Bloomberg, duke e konsideruar të parakohshëm parashikimin e saj negativ. Ata besojnë se puna nuk do të arrijë deri në shpalljen e default-it. Republikanët dhe demokratët në Kongresin amerikan herët a vonë do të bien dakord mes tyre edhe për reduktimin e mundshëm të shpenzimeve, edhe për rritjen e tavanit të borxhit publik, mendon Kreu i kompanisë ruse "Arbat Kapital" Aleksei Golluboviç:

- Fakti, që kufirin (limitin) e borxhit publik nuk mund të mos e rrisin, është, padyshim, evident për ekonomistët dhe ekspertët seriozë të tregjeve financiare, kështu që për default-in e SHBA-së as që mund të bëhet fare fjalë. Në SHBA do të gjejnë patjetër mënyrën për t’u marrë vesh dhe për të vazhduar financimin e shpenzimeve buxhetore. Në rastin më të mirë buxheti do të reduktohet paksa nën presionin e republikanëve, ndërsa në rastin më të keq - republikanët do të dorëzohen.

Faktin, se default-i në SHBA s’ka gjasa të ndodhë, nuk e vë fare në dyshim Drejtori i Përgjithshëm i një tjetër agjencie vlerësuese ndërkombëtare me influencë - Moody’s - Raymond W. McDaniel. Opsionin e pezullimit të pagesave në lidhje me letrat me vlerë nga Thesari i shtetit ai e quan thjesht një trillim, diçka nga bota e fantastikes (anglezët e quajnë këtë fiction). Dhe i referohet ngjarjeve të dy viteve të shkuara. Edhe atëhere rritja e radhës e tavanit të borxhit gjithashtu nuk mundi të gjejë zgjidhje për një kohë të gjatë për shkak të konfrontimit të ashpër mes demokratëve dhe republikanëve në Kongres. Por në fund të fundit ata arritën të bien dakord.