Në operacionet e kërkimit merr pjesë edhe kreu i qarkut të Çerbarkulit, Andrei Orllov. Ai personalisht është zhytur deri në fund të shtratit të liqenit, por nuk ka parë gjë atje, pranon Andrei Orllov:

- Atje nuk shihet asgjë. Unë u zhyta në një thellësi prej 10 metrash. Ndërsa në thellësinë prej 18 metrash, ku po zhvillohen kërkimet, mua nuk më lejuan të shkoja. Pa trajnim të veçantë nuk mund të zhytesh në një thellësi të tillë. Në këtë thellësi zhytësit janë duke punuar në errësirë ​​të plotë, duke përdorun shqisën e të prekurit.

Ka disa ditë tashmë që zhytësit nuk kanë gjetur asnjë copë të re të meteoritit. Skeptikët kanë filluar të thonë se kërkimet nuk po kryhen atje, ku ra trupi qiellor. Megjithatë, Andrei Orllov është i sigurt se vendi i kërkimeve është përcaktuar saktësisht:

- Ekspertët kryen kërkime dhe përcaktuan se pikërisht në këtë vend vërehet një anomali magnetike. Gjithsej janë vërejtur katër vende të manifestimit të anomalisë. A ndodhen apo jo atje meteoritët, këtë nuk mund ta themi me siguri. Por këtu më parë nuk ka patur anomali të tilla.

Në Çebarkul janë hapur disa ekspozita kushtuar rënies së meteoritit. Njëra prej tyre u hap në muzeun e qytetit. Në të janë ekspozuar fotot e liqenit para dhe pas rënies së meteoritit. Mes eksponateve ka dhe një fragment të meteoritit. Atë e kanë sjellë në muze banorët vendas, të cilët e gjetën fragmentin në pyll.

Meteoriti ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të shkencëtarëve rusë dhe të huaj, por edhe të turistëve nga vende të ndryshme. Gjatë një nate qyteti i vogël dhe pak i njohur i Çebarkulit u bë i njohur në të gjithë botën. Ne kemi në plan ta zhvillojmë biznesin turistik edhe më tej, dhe ndoshta ta shndërrojmë qytetin tonë në kryeqytetin e meteoritëve rusë, rrëfen kryebashkiaku i qytetit:

- Qytetin tonë tashmë e kanë vizituar çekët, amerikanët, japonezët, kinezët dhe francezët. Interesimi është i madh, pavarësisht faktit se këtë interesim e shfaq një grup i ngushtë dhe specifik njerëzish, të cilët janë të apasionuar pas kozmosit dhe histori të lidhura me të. Duke filluar nga 15 shkurti, këta njerëz janë bërë vizitorë të shpeshtë të qytetit tonë, dhe ne tani jemi duke krijuar të gjitha kushtet, për të zhvilluar turizmin.