Problemi i sigurisë së informacionit, pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme politike, sot kërkon një zgjidhje kolektive. Dhe në qoftë se disa anëtarë të veçantë të komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, e shikojnë të nevojshme të veprojnë në rrjetet informative globale, duke u bazuar vetëm në interesat e tyre, Federata Ruse nga ana e vet e sheh rrugëdaljen në një bashkëpunim aktiv ndërkombëtar, u shpreh për "Zërin e Rusisë" deputeti i Dumës Shtetërore ruse Ilja Kostunov:

- Unë jam i mendimit se Rusia, Kina dhe vende të tjera në zhvillim si India dhe Brazili, mund të fillojnë të shprehin vullnetin e tyre në hapësirën e informacionit global, kryesisht për të mirën e qytetarëve tanë. Vendet anëtare të BRICS përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së rruzullit tokësor, dhe sot interesat e qytetarëve të vendeve tona nuk merren gjithmonë në konsideratë nga krijuesit e Internetit.

Sot Interneti është shndërruar në një arenë të luftës kibernetike. Dhe në qoftë se përpjekjet ndërkombëtare nuk do t'i japin fund këtij konfrontimi, pasojat mund të jenë shumë negative, vuri në dukje eksperti rus Anatoli Smirnov:

- Nëse ne nuk biem dakord, ne do të jemi dëshmitarë të kiber-Hiroshimës. Për shembull, pas sulmit të prillit nga "Ushtria elektronike siriane" ranë treguesit e Dow Jones dhe dy kompani amerikane pësuan humbje me një vlerë prej miliarda dollarësh. Ka shumë shembuj të rasteve, kur disa hakera,të cilët nuk dihen se për llogari të kujt punojnë, përpiqen të zgjidhin në mënyrë individuale problemin e drejtësisë në sferën e informacionit dhe të ruajtjes së sovranitetit informativ të një shteti, duke përdorur kapacitetet e veta.

Gjatë forumit anëtarët e delegacionit rus u paraqitën homologëve të tyre të huaj projekte të reja eksperimentale që synojnë zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale në Internet. Vëmendjen e veçantë të pjesëmarrësve të huaj e tërhoqën projektet e sistemit të luftës kundër ekstremizmit, si dhe koncepti i parandalimit të "efektit Snowden" - disa zgjidhje që parandalojnë rrjedhjen e informacionit konfidencial.