Fakti që diskutimi në kuadër të debatit të përgjithshëm politik në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nuk do të jetë i lehtë, u bë i qartë që në mëngjes. E para e mori fjalën Presidentja e Brazilit Dilma Rousseff. Ajo kritikoi SHBA-në për programet e përgjimit të politikanëve, kompanive dhe qytetarëve të huaj nga ana e shërbimeve amerikane të zbulimit:

- Brazili ishte objekt i përgjimeve. Të dhënat personale të qytetarëve mbikqyreshin, informacioni privat i kompanive ishte objekt i spiunazhit të shërbimeve të inteligjencës amerikane. Madje edhe Ambasada braziliane dhe Misioni i Brazilit pranë Kombeve të Bashkuara janë përgjuar. Edhe bisedat e punonjësve të Administratës së Presidentes së Brazilit janë përgjuar nga shërbimet e zbulimit. Këto veprime shkelin normat dhe ligjet ndërkombëtare, si dhe parimet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Brazili, zoti President, do të dyfishojë përpjekjet e saj për të kundërvepruar ndaj një spiunazhi të tillë.

Barack Obama preferoi ta linte pa përgjigje deklaratën e Presidentes së Brazilit. Ai u përqëndrua në tre tema, për të cilat priteshin deklarata nga ana e tij: Siria, Irani dhe konflikti izraelito-palestinez. Obama deklaroi sërish se konsideron përgjegjës për përdorimin e armëve kimike në periferi të Damaskut regjimin zyrtar dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratojë variantin e ashpër të rezolutës për Sirinë.

Në lidhje me çështjen siriane Obama nuk tha asgjë të re. Por komentet e tij mbi temën e Iranit i dhanë material për të reflektuar politologëve. Obama deklaroi se Uashingtoni e njeh të drejtën e Iranit për zhvillimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore dhe nuk kërkon ndryshimin e regjimit. Rouhani më vonë u shpreh për një normalizim të mundshëm të marrëdhënieve me Perëndimin:

- Tani ne kemi një mundësi unike për të kapërcyer krizën në marrëdhëniet tona. Unë deklaroj se as armët bërthamore, as armët e tjera të shkatërrimit në masë nuk janë pjesë e doktrinës së mbrojtjes së Iranit.

Në qendër të vëmendjes së mediave ishte gjithashtu një tjetër ngjarje - takimi i ministrave të jashtëm të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Sergei Lavrov dhe John Kerry diskutuan zgjidhjen e konfliktit sirian. Pas takimit Kreu i Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse deklaroi se "bisedimet ishin produktive, ekziston një mirëkuptim i përbashkët lidhur me atë se si duhet vepruar më tej".