Deri pak vite më parë ishte e vështirë të imagjinohej se Rusia dhe NATO do të mund të kryenin stërvitje të tilla. Por kohët ndryshojnë, janë shfaqur kërcënime të reja që i detyrojnë palët të bashkojnë forcat në luftën kundër një të keqeje të tillë si terrorizmi ajror.

Stërvitjet përbëhen nga disa faza. Drejtimi i stëvitjeve do të kryhet nga qendrat koordinative në Varshavë dhe Moskë. Më 24 shtator avioni "Tu-134", i rrëmbyer nga terroristët, do të simulojë një avion që do të fluturojë në drejtim të Turqisë mbi Detin e Zi. Sipas skenarit të stërvitjeve, gjuajtësit rusë "Su-27" dhe ata "F-16" të Forcave Ushtarake Ajrore turke do të neutralizojnë avionin. Të nesërmen, avioni i rrëmbyer nga terroristët do të fluturojë nga Polonia dhe do të neutralizohet mbi Detin Balltik nga gjuajtësit e Forcave ushtarake Ajrore të Polonisë dhe Rusisë.

Çdo akt terrorizmi në ajër i përket kategorisë së ngjarjeve të bujshme dhe shpeshherë çon në humbjen e jetës të një numri të madh njerëzish, thekson eksperti i situatave kritike, veterani i shërbimit të zbulimit të jashtëm rus Lev Korolkov:

- Zhvillimi i stërvitjeve u mundëson strukturave përgjegjëse për sigurinë në transportin ajror të koordinojnë veprimet dhe të gjejnë sa më shpejt gjuhën e përbashkët mes tyre, si dhe të trajnojnë stafin përgjegjës për këtë pjesë të trafikut ajror. Situata të këtilla duhen simuluar, përndryshe ne nuk do të jemi në gjendje të zhvillojmë një algoritëm për zgjidhjen e këtij problemi.

Sipas mendimit të ekspertëve, stërvitjet do të përforcojë gatishmërinë e sistemeve të shkëmbimit të informacionit midis Rusisë dhe vendeve anëtare të NATO-s. Kjo do të mundësojë rritjen e nivelit të mbrojtjes nga sulmet terroriste.