Albert Demçenko është fituesi i medaljes së argjendtë të Lojrave Olimpike 2006 në Torino, krenaria e sportit rus. Ai po punon fort për të arritur qëllimin e tij - të fitojë medaljen e artë olimpike. Por për të qenë objektivë, shanset më të mëdha për të fituar në Soçi i ka liderja e ekipit të femrave Tatjana Ivanova. Tatjana është tre herë kampione e Europës. Medaljen e parë të artë ajo e fitoi krejt papritur për shumë njerëz në vitin 2010. Ky ishte suksesi i parë i tillë i sportisteve ruse në rrëshqitjen me saja që nga viti 1974, kur kampione e Europës u shpall Vera Zozulja, e cila më pas u shpall dhe kampione olimpike në Lake Placid (1980). Në Kampionatin Europian në vitin 2012 Tatjana Ivanova mori dy medalje të tjera ari, duke fituar në garën individuale dhe në garën ekipore. Skeptikët do të thonë: në ato kampionate europiane nuk merrnin pjesë lideret botërore të sportit të sajave, gjermanet Tatjana Hufner, Natalie Geisenberger dhe Anke Wisniewski. Megjithatë po në vitin 2012 Ivanova fitoi dy medalje të argjendta në Kampionatin Botëror në Altenberg, dhe kjo ka ndodhur në një luftë të drejtpërdrejtë me rivalet kryesore. Këtë sezon Tatjana ka një vendosmëri bindëse:

- Me ta - po, mund dhe duhet të luftoj. Mjaft më kanë qëndruar në piedestal. Jemi lodhur duke dëgjuar himnin gjerman.

Një gëzim të veçantë përjeton Tatjana Ivanova pas një performance të suksesshme në garën ekipore, kur suksesin mund ta ndash me shokët e ekipit kombëtar rus. Sipas rregullores, garat ekipore mbyllin përballjet sportive dhe trajnerët aktivizojnë në to ata sportistë, të cilët kanë treguar një paraqitje më të mirë se të tjerët. Tatjana Ivanova është gati për ta filluar garën ekipore me çdo partner, por ajo ndihet më rehat në krah me Albert Demçenkon dhe dyshen Vlladislav Juzhakov - Vladimir Mahnutin, pasi ata janë nga qarku i Permit dhe e kuptojnë njëri-tjetrin pa thënë asnjë fjalë.