Çështja lidhur me faktin se kush ka përdorur gaz toksik në periferi të Damaskut më 21 gusht ndali sot punën mbi rezolutën e re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Sirinë. Nëse Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca e trajtojnë raportin e ekspertëve të OKB-së mbi sulmin me armë kimike si një aktgjykim për Bashar Al-Assad-in, Rusia dhe Kina kanë një pikëpamje tjetër. Moska është e bindur se substanca toksike është përdorur nga militantët për të ngjallur një provokim.

Uashingtoni, Londra dhe Parisi po përpiqen t'i imponojnë Këshillit të Sigurimit të OKB-së miratimin e një rezolute të re të ashpër për Sirinë, e cila, në fakt, do t'i jepte OKB-së të drejtën e përdorimit të forcës kundër Sirisë. Moska argumenton se kjo bie në kundërshtim me marrëveshjet ruso-amerikane dhe ndryshon plotësisht planin për vënien në punë të mekanizmit të transferimit nën kontrollin ndërkombëtar të armëve kimike në Siri.

Ministria e Punëve të Jashtme ruse shpreson se provat që do të paraqiten nga Sergei Rjabkov, do të mund të sqarojnë situatën, tha sot i Dërguari i Posaçëm i Presidentit rus për Lindjen e Mesme dhe Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë Mihaill Bogdanov:

- Partnerët sirianë kanë ndarë me ne informacionin që ata kanë mbledhur në lidhje me përdorimin e armëve kimike, sipas autoriteteve siriane - nga ana e opozitës. Ne do t'ia dorëzojmë këto dokumente Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, për analizimin dhe studimin profesional të tyre, si dhe për të nxjerrë konkluzionet përkatëse.

Pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e kanë diskutuar projektrezolutën e ashpër amerikano-franko-britanike mbi Sirinë më 17 shtator në selinë e misionit amerikan në OKB. Ajo parashikon aplikimin e kapitullit të shtatë të Kartës së OKB-së – përdorimin e forcës. Rusia e ka ritheksuar kundërshtimin e saj ndaj një qasjeje të tillë. Moska dhe Kina e kanë vënë veton tri herë për rezoluta të ngjashme për nga ashpërsia. Duket se ecuria e debateve mbi dokumentin e ri mund të jetë po aq negative, si edhe në rastin e rezolutave të mëparshme të këtij lloji.