Për krijimin e holdingut rus "Kallashnikov" një vit më parë për herë të parë foli Zëvendëskryeministri i Rusisë, Dimitri Rogozin, idenë e të cilit e mbështeti Presidenti i vendit, Vladimir Putin. Projektuesi me famë botëreore Mihail Kallashnikov, i cili ka punuar për shumë vite në Izhevsk, ra dakord për t’i dhënë koncernit emrin e tij.

Në Izhevsk do të përqëndrohet i gjithë cikli i prodhimit: që nga porositja dhe deri tek dërgimi i armëve. Ndërkohë që do të ruhen traditat e prodhuesve rusë të armëve. Njëherë e një kohë automatiku legjendar "Kallashnikov", para se të bëhej pjesë e armatimeve, kalonte testet më të rrepta të mundshme, kujton eksperti i armëve Maksim Popenker:

- Në Rusi e njëjta armë mund të ndodhej edhe në vapën aziatike 40-gradëshe, edhe në të ftohtin minus 40-gradë të Arktikut. Për më tepër në duar nga më të ndryshmet, ndonjëherë edhe në ato të luftëtarëve të papërvojë. Prandaj atributet kryesore gjithmonë kanë qenë: besueshmëria, thjeshtësia dhe aftësia për të funksionuar praktikisht në të gjitha kushtet atmosferike.

Cilësitë, për të cilat armët ruse janë vlerësuar në të gjithë botën, do të vazhdojnë të ruhen edhe në zhvillimet e ardhshme, vë në dukje Liderja e shërbimit për shtyp të koncernit "Kallashnikov", Elena Fillatova:

- Aktualisht në qendrën e projektimit po zhvillohen më shumë se 60 mostra të armëve moderne. Si ushtarake, ashtu edhe civile.

Besueshmëria lidhur me funksionimin e tyre - ajo për çfarë janë shquar gjithmonë automatikët e familjes "Kallashnikov" - është ruajtur edhe në zhvillimin e brezi të ri të tyre. Modifikimet e ndryshme të "AK-12" tani po u nënshtrohen testimeve shtetërore. Pas kësaj ato do të hyjnë në përbërjen e ushtrisë ruse.

Prezantimi i koncernit do të mbahet në Izhevsk Ditën e Armëpunuesit, e cila festohet në Rusi më 19 shtator. Pritet që medaljet shtetërore armëpunuesve më të mirë të vendit t’ja u dorëzojë vetë Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. Heroi kryesor i festës do të jetë Mihail Kallashnikov, i cili këtë vit mbush plot 94 vjet.